Inteligjenca amerikane: Rusia po ndihmon Trumpin për t’u rizgjidhur President
Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë paralajmëruar se Rusia po përpiqet të ndihmojë Presidentin Donald Trump të rizgjidhet në muajin nëntor, raportojnë mediat vendase.
Komentet janë bërë në një konferencë me dyer të mbyllura para Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve në 13 shkurt. Presidenti Trump thuhet të jetë tërbuar nga ky fakt, duke u ankuar se demokratët do ta përdorin informacionin kundër tij. Të enjten, Trumpi zëvendësoi shefin e tij të shërbimit të inteligjencës, Joseph Maguire.
New York Times thotë se presidentin e kishte zemëruar në mënyrë të veçantë fakti që Adam Schiff, demokrati i cili udhëhoqi procedurat e fajësimit kundër tij, ishte i pranishëm në konferencë. Maguire konsiderohej favorit për t’u emëruar për postin e Drejtorit të Përhershëm të Inteligjencës Kombëtare (DNI), thotë Washington Post. Por sipas gazetës, presidenti ndryshoi mendim kur mësoi për konferencën dhe foli për mungesë “besnikërie” nga ana e stafit të tij.
Trump njoftoi se Maguire do të zëvendësohej nga Richard Grenell, ambasadori amerikan në Gjermani dhe një besnik i fortë i tij. Dy zyrtarë të administratës Trump i thanë New York Times se zëvendësimi i Maguire, menjëherë pas konferencës, nuk ishte gjë tjetër veçse një rastësi. Zyrtarët e inteligjencës amerikane thonë se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të 2016 për të forcuar fushatën e Trump dhe për të shkaktuar kaos brenda procesit zgjedhor të SHBA. Demokratët e kritikuan presidentin për emërimin e Grenell, i cili më parë e ka minimizuar shtrirjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e fundit, ndërsa duket ka përshëndetur ngritjen e politikanëve të ekstremit të djathtë në Evropë.