IOM: 2.300 emigrantë kanë humbur jetën sivjet në detin Mesdhe
Të paktën 2300 emigrantë kanë humbur jetën teksa përpiqeshin të kalonin detin Mesdhe gjatë vitit 2015, 500 më tepër krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kështu bën të ditur Organizata Ndërkombëtare e Migrimit, sipas së cilës që nga janari kanë zbarkuar në Europë 240 mijë emigrantë, 30 mijë më tepër krahasuar me mbërritjet e regjistruara përgjatë gjithë vitit 2014.
Raporti më i fundit i IOM thekson se rruga më vdekjeprurëse në botë është ajo që përshkon Kanalin e Siçilisë. Nga fillimi i vitit 2015, rreth 102 mijë emigrantë kanë kapërcyer këtë kanal.
Ndërkohë në bazë të të dhënave të fundit nga qeveria e Athinës një total prej 135 mijë emigrantësh kanë mbërrritur në territorin grek nga Turqia.
“Vendet e origjinës të pjesës më të madhe të emigrantëve dhe azilkërkuesve që kërkojnë të rifillojnë një jetë në vendet e Bashkimit Evropian janë Siria, Eritrea, Afganistani, Nigeria dhe Somalia” saktëson IOM.