Ipeshkvijtë në Pakistan përshëndesin miratimin e Aktit të rishikuar të Martesës

Krerët e krishterë të Pakistanit përshëndetën miratimin përfundimtar të një ligji të ri, që e rrit moshën minimale të martesës për djemtë dhe vajzat e krishtera në 18 vjeç. Legjislacioni i ri, që ndryshon Aktin e Martesës së Krishterë të vitit 1872, u miratua njëzëri nga Dhoma e Deputetëve këtë javë, pasi kaloi në Senat disa muaj më parë. Sipas ligjit të mëparshëm, i cili daton që nga sundimi britanik në Indi, vajzat mund të martoheshin në moshën 13 vjeçare, ndërsa djemtë në moshën 16 vjeçare.

Mbrojtja e vajzave të krishtera nga martesat e detyruara
Të krishterët në Pakistan e kanë ngritur zërin prej kohësh për këtë ndryshim, me synimin për të mbrojtur veçanërisht vajzat nga abuzimi seksual dhe martesa me forcë, që shpesh bëhet përmes rrëmbimeve, duke i detyruar të miturat të kthehen në fe të tjera.

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Pakistanit (CBCP), imzot Samson Shukardin, së bashku me Komisionin Kombëtar për Drejtësi dhe Paqe (NCJP), shprehën kënaqësi për miratimin përfundimtar të legjislacionit.

“Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për gjithë Parlamentin, që e miratoi këtë projektligj unanimisht”, pohojnë ata në një deklaratë. “Ky legjislacion do të luajë një rol vendimtar në mbrojtjen e vajzave tona të reja dhe të mitura nga kthimi i detyruar në fe të tjera dhe nga martesat me forcë, në moshë të njomë. Shpresojmë që qeveria do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për t’i kriminalizuar kthimet e detyruara fetare”, shkruhet më tej.

Ligji i ri për martesën e krishterë
Ligji i ri për martesën e krishterë parashikon që martesa “të regjistrohet vetëm kur mosha e të dyja palëve është 18 vjeç”. Më tej, përcaktohet se në rast mosmarrëveshjeje për moshën e çdo pale, gjykata do ta gjejë atë nga Letërnjoftimi Kombëtar i Kompjuterizuar, nga certifikata e lindjes, certifikata shkollore, ose nga çdo dokument tjetër. Në mungesë të këtyre dokumenteve, mosha mund të përcaktohet në bazë të një raporti ekzaminimi mjekësor.

R.SH. – Vatikan

SHKARKO APP