Irak/ Sulmohet baza amerikane me 14 predha
Një sulm terrorist po rrezikon të përkeqësojë situatën me rendin dhe përballjen amerikane me militantët në Irak.
Të paktën 14 predha mortajash u lëshuan të hënën para mesnatës në veri mbi dhe afër bazës ajrore të Erbilit, që është kryeqyteti i rajonit gjysmautonom të kurdëve në vend.
Baza përdorej nga ushtria amerikane dhe forcat perëndimore, por goditjet prekën edhe zonat e banuara afër aeroportit.
“Jemi të indinjuar me sulmin e sotëm. Paraprakisht mësojmë për një kontraktor civil të vrarë dhe disa pjesëtarë të Koalicionit të plagosur, nga të cilët një në shërbimin tonë dhe disa kontraktorë amerikanë,“- deklaroi Sekretari i Shtetit, Antoni Blinken, nga Uashingtoni.
Edhe Kombet e Bashkuara, Presidenti i Irakut dhe kryeministri i rajonit kurd ku ndodhi ngjarja, e dënuan sulmin.
Operacioni, ndërkaq, u mor përsipër nga një grup i ri militant, i quajtur “Aulija al-Dam” ose Brigada e Gardianëve të Gjakut.
“Pushtuesit amerikanë nuk kanë për të gjetur qetësi nga ne në çdo centimetër të mëmëdheut tonë, edhe në Kurdistan, ku premtojmë operacione të tjera cilësore,” -raportoi grupi me baza shiite.
Ky është sulmi i parë në dy muaj që kishte si objektiv trupat e huaja në Irak.
Uashingtoni pretendon se ato organizohen nga grupe militante që bashkëpunojnë me Iranin.