Irani i qëndron versionit sesi u vra lideri i Hamasit: Me një raketë me rreze të shkurtër veprimi
Rojet Revolucionare në Iran vijojnë të insistojnë se lideri i Hamasit, Islamil Haniyeh u ekzekutua me një raketë me rreze të shkurtër veprimi që u qëllua pranë rezidencës ku ai qëndronte në Teheran, duke rrëzuar në këtë mënyrë pretendimet e disa shërbimeve sekrete se ai u vra me një bombë të vendosur në ambientet e godinës më herët.
Udhëheqësi i Hamasit ishte për vizitë në kryeqytetin iranian për inaugurimin e Presidentit Massoud Pezeshkian. Daily Telegraph pretendon se Haniyeh u vra nga bomba të vendosura në dhomën e tij nga agjentët e agjencisë së inteligjencës izraelite Mossad.
Duke cituar zyrtarë iranianë, gazeta tha se dy agjentë të Mossad-it kishin hyrë në ndërtesë dhe kishin vendosur eksploziv në tre dhoma. Iranianët, të cilët kishin parë pamjet, thanë se të dy u larguan më pas nga vendi. New York Times raportoi gjithashtu se Haniyeh u vra nga eksplozivët e shpërthyer në dhomën e tij, duke thënë se ato mund të ishin vendosur deri në dy muaj më parë.