Ish-këshilltarja e presidentit Trump dëshmon në hetimin për shkarkimin e tij

Dëshmia me dyer të mbyllura e së hënës e ish-ndihmëses së lartë të Presidentit Donald Trump për Rusinë dhe Evropën lidhur me hetimin që po kryen Kongresi për shkarkimin e Presidentit, ka hedhur ndoshta dritë mbi arsyet e shkarkimit në muajin maj të ish-ambasadores amerikane në Ukrainë Marie Yovanovitch.

Deri në muajin korrik, kohë kur ajo u largua nga Shtëpia e Bardhë, Fiona Hill shërbeu si këshilltare e lartë për Çështjet Evropiane dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe ishte në dijeni të asaj çka ndodhte në prapa-skenën e politikës së jashtme amerikane. Avokati i saj Lee Wolosky tha që ajo ishte thirrur zyrtarisht nga komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve dhe se kishte në plan t’u përgjigjej pyetjeve të ligjvënësve.

Javën e kaluar zonja Yovanovitch, një diplomate karriere e Departamentit të Shtetit, u tha ligjvënësve se zoti Trump e kishte larguar atë nga detyra bazuar në “informacione të pabaza e të rreme”, pasi avokati personal i zotit Trump, Rudy Giuliani kishte kritikuar efektshmërinë e punës së saj në Kiev.

Zoti Giuliani është përpjekur që të vërë në lëvizje autoritetet në Ukrainë që të hetojnë një nga kundërshtarët kryesorë politikë të zotit Trump, ish-nënpresidentin Joe Biden. Ai ka kërkuar të nisin hetimet lidhur me rolin që zoti Biden ka luajtur disa vite më parë në largimin e një prokurori ukrainas si dhe çdo lidhje që ai mund të ketë pasur me kompaninë ukrainase të energjisë “Burisma” ku djali i tij Hunter Biden shërbente si anëtar i bordit. Hunter Biden u largua nga bordi i Burisma-s disa muaj më parë. Si Joe Biden ashtu edhe djali i tij kanë hedhur poshtë çdo akuzë për shkelje të ligjit.

Gjatë një bisedë telefonike në fund të muajit korrikut presidenti Trump i pati kërkuar Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, që Kievi të hetojë zotin Biden dhe djalin e tij si dhe që të komunikojë për këtë çështje me zotin Giuliani si dhe Prokurorin e Përgjithshëm William Barr.

Sipas një përmbledhje të zbardhur të bisedës telefonike publikuar nga Shtëpia e Bardhë, zoti Trump i kishte thënë zotin Zelenskiy se:

“Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara ishte ‘problematike’ dhe se njerëzit me të cilët ajo merrej në Ukrainë ishin gjithashtu ‘probelmatikë’. Ka shumë zëra lidhur me djalin e zotit Biden dhe se Joe Biden ndaloi një hetim penal. Shumë njerëz duan të dinë lidhur me këtë… pra çdo gjë që mund të bësh me Prokurorin e Përgjithshëm do të ishte shumë e rëndësishme. Bideni shkoi gjithëandej duke u mburrur se e kishte penguar ndjekjen penale… kështu që a mund ta shihni këtë çështje….pasi mua më tingëllon e tmerrshme”, i kishte thënë zoti Trump homologut të tij.

Ende nuk dihet shumë mbi dëshminë e zonjës Hill të hënën në Kongres, por rrjeti televiziv NBC njoftoi paraprakisht se ajo kishte në plan të pohonte se zoti Giuliani dhe Gordon Sondland, ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian, kishin anashkaluar procesin normal që ndjekin politikat në hije mbi Ukrainën të Shtëpisë së Bardhë dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Zoti Sondland pritet të dëshmojë përpara ligjvënësve ditën e enjte.

Komisioni i zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve është ende në fazat e hershme të hetimit mbi të cilin do të vendosë për ngritjen ose jo të akuzave zyrtare për shkarkimin e presidentit Trump. Hetimet kërkojnë të hedhin dritë nëse zoti Trump ka shkelur interesat që lidhen me sigurinë kombëtare amerikane në një përpjekje për të fituar një mandat tjetër vitin e ardhshëm.

Joe Biden, i cili ka bërë thirrje për ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit Trump, është një nga pretendentët kryesorë për të qenë kandidati zyrtar i Partisë Demokratike për garën e ardhshme presidenciale përballë Donald Trump-it.

Hetimi u nxit nga ankimi i një informatori sekret të komunitetit amerikan të zbulimit lidhur me përmbajtjen e bisedës telefonike mes presidendit Trump dhe homologut të tij ukrainas. Por presidenti thotë se biseda e tij me zotin Zelenskiy ishte “perfekte”.

Kryetari i komisionit të Zbulimit në Dhomës së Përfaqësuesve Adam Schiff ka thënë më parë se informatori do të dëshmojë përpara ligjvënësve, por tashmë ai duket hezitues nëse një gjë e tillë do të ndodhë.

SHKARKO APP