ITALEXIT? Rajonet e pasura kërkojnë ndarjen nga Roma. Tronditet eurozona
Rajonet më të pasura të Italisë kanë votuar për autonomi nga Roma. Miliona njerëz në Lombardi dhe Veneto, të drejtuar nga partia separatiste Lega Nord, votuan më shumë se 90 për qind për “po” në referendumin e së dielës duke bërë thirrje për të negociuar një marrëveshje më të mirë financiare me Romën.
Ambicia e tyre pasqyron qëllimin e Katalonjës për të ulur taksat nga Madridi, megjithatë ndryshe nga referendumi i rajonit spanjoll më 1 tetor, votat italiane u mbajtën në përputhje me kushtetutën, por nuk janë të detyrueshme për Romën.
Lombardia mban rreth 20 për qind të ekonomisë së Italisë, ndërsa Veneto 10 për qind. Presidenti i Lombardisë, Roberto Maroni u shpreh se pjesëmarrja ishte 40 për qind, ndërsa në Veneto ajo arriti në 57 për qind.
“Tani mund të shkruajmë një faqe të re. Rajonet që kërkojnë më shumë pushtet do ta marrin atë. Po flas për fuqinë rreth të ardhurave nga taksat që normalisht shkojnë në Romë. Ky është hapi i parë i një rruge drejt reformave të mëdha”,-tha Maroni.
Në Lombardia dhe Veneto, qytetarët ankohen se taksat e tyre shpërdoren nga qeveria qendrore, duke hedhur akuza ndaj Romës për dhënien e shërbimeve publike me cilësi të ulët dhe devijim të buxhetit.
Partia qeverisëse ”Lega Nord” e dy rajoneve u krijua në vitet 1990, për të bërë fushatë për një shtet të pavarur “Padania”, që shtrihej në veri të Italisë, nga Lombardia në perëndim deri në Venedik në lindje.
Kundërshtarët politikë të ”Lega-s” thonë se votat ishin një humbje kohe dhe parash, pasi kushtetuta lejon që rajonet të hyjnë në negociata në çdo kohë me Romën për të marrë më shumë funksione nga qendra.
Ekspertët politikë thonë se asnjë rajon nuk ka gjasa të ketë sukses në grumbullimin e parave nga qeveria qendrore pa shkaktuar probleme për rajonet në jugun e varfër të Italisë.
Burimi: Daily Express/Përshtati: Redjon Shtylla
KOHA JONË SONDAZH

