Itali/ Gjobë dhe burg për shkelësit e masave anti-covid
Nga dita e sotme në Itali fillojnë masat e reja anti-covid. Në dekretin e ri të qeverisë italiane prashikohen gjoba të larta dhe burg për të gjithë personat që shkelin rregullat.
Sipas kësaj vendimmarrje të re, kush nuk ka motivacion për të dalë mund të gjobitet 280 euro dhe ky sanksion mund të arrijë në 560 euro në rast përsëritje. Personat që thyejnë karantinën rrezikojnë një kallëzim penal dhe burg 3-18 muaj, të cilit i shtohet dhe një gjobë 500-5000 euro.
Masat e reja e ndajnë Italinë në tre zona e kuqe, portokalli dhe jeshile. Nëse në zonat e kuqe, dyqanet, baret dhe restorantet duhet të qëndrojnë mbyllur, në zonat e gjelbra mund të vijojnë punën, por nën rregulla strikte. Ato mund të hapin dyert nga ora 05:00 deri 18:00, me një numër të kufizuar klientësh ndërsa maska mund të hiqet vetëm në kohën kur konsumon ushqim.
Nëse restorantet shkelin rregullat rrezikojnë gjoba deri në 560 euro deri në mbylljen e aktivitetit për 5 ditë.
Në kuadër të masave të reja, parashikohet edhe ulja me 50% e kapaciteteve të transportit publik lokal, mbyllja e muzeve, ndalimi i qendrave tregtare gjatë fundjavave dhe shtetrrethim në mbrëmje. Ndërkohë, mësimi do jetë në distancë për shkollat e mesme.