Itali, mbi 1 milion numri i rasteve me Covid-19
Që nga fillimi i pandemisë nga Covid-19 në Itali, numri i të infektuarve në vend ka shkuar në mbi një milion. Sipas të dhënave të përditësuara të njoftuara nga Ministria e Shëndetësisë, 32.961 persona janë diagnostikuar me Covid-19 në 24 orët e fundit, me çka numri i përgjithshëm i të infektuarve që nga fillimi i pandemisë në muajin shkurt në vend ka arritur në 1.028.424.
Numri i rasteve aktive aktualisht është 613.358, kurse i pacientëve në kujdes intensiv ka arritur në 3.081. Bilanci i të vdekurve është rritur me 623 në 24 orët e fundit, për të shkuar në 42.953. Shifra e sotme e të vdekurve është më e larta e regjistruar që nga 6 prilli, kur jetën humbën 638 njerëz.
Numri i të shëruarve ka shkuar në 372.113, me 9.090 të shëruar në 24 orët e fundit. Shoqatat e mjekëve dhe infermierëve të vendit vazhdojnë të shprehen se kapacitetet e spitaleve kanë filluar të mbushen. Në Torino, kryeqytetin e rajonit Piemonte në veri, i cili raportohet të ketë regjistruar rritjen më të lartë të rasteve, një spital fushor ka filluar të ndërtohet nga njësitë e ushtrisë italiane rreth stadiumit të Klubit Futbollit të Juventusit. Më parë, një kishë në qytet u ofrua për trajtimin e pacientëve me Covid-19 duke vendosur shtretër.