Italia mbledh firmat 500 mijë shifra: Hashashi, jo më krim
Më shumë se 500 mijë firma të nevojshme për organizimin e një referendumi mbi kanabisin, është arritur në Itali. Referendumi synon të amendojë një ligj të 1990-tës i cili parashikon për shitjen e kanabisit dënime me deri në 6 muaj burg.
Suksesi në grumbullimin e firmave i detyrohet duket edhe faktit që është mundur të bëhet mbledhja e tyre edhe në formën digjitale.
“Ka rreth një milionë përdorues të kanabisit në Itali”, thotë Giuseppe Civati, një prej organizatorëve të referendumit që kërkon dekriminalizimin e hashashit.
“Politikat kombëtare kanë qenë shumë të ngurta në lidhje me subjekte që konsiderohen tabu, dhe kjo thjesht për logjikë elektorale. Qeveritë, as nga e majta, as nga e djathta nuk ndihmojnë, kështu që qytetarëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të ngrihen e të mbrojnë veten”, shprehet më tej Civati.
Falë referendumeve, Italia ka hedhur hapa shumë më progresivë në drejtim të disa çështjeve të shumë diskutuara si legalizimi i divorcit apo abortit.