Italia ndalon lëvizjen mes rajoneve, shtetrrethim pas orës 22:00

Italia është vendi i parë europian i goditur nga Covid-19 dhe me mbi 56 mijë jetë të humbura ka bilancin e dytë më tragjik pas Britanisë së Madhe. Italianët do ta kenë të ndaluar të lëvizin mes rajoneve për Krishtlindje dhe Vitin e ri. Kjo është vetëm një prej masave të reja të njoftuara të mërkurën nga ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza.

Në fjalën e tij në Senat, Speranza theksoi se kufizimet do të implementoheshin gjatë sezonit festiv për të shmangur rritje të infektimeve me Covid-19. ”Do të na duhet të reduktojmë rrezikun e përhapjes së pandemisë së shkaktuar nga lëvizjet e qytetarëve që duan të festojnë bashkë Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Masat janë jetësore nëse duam të shmangim përkeqësim të situatës e cila ka nisur të përmirësohet”, tha Speranza.

Lëvizjet përmes rajoneve do të jenë të ndaluara nga 4 dhjetori deri në 6 janar. Dyqanet në zonat e kuqe, pra ato me rrezikshmëri të lartë, do të rihapen, por shtetrrethimi nga ora 10 e mbrëmjes do të qëndrojë në fuqi, përfshirë natën e ndërrimit të viteve. Baret dhe restorantet do të mbyllen në orën 6 të pasdites. Reagimi i italianëve të frustruar nga kufizimet ishte i ndryshëm.

SHKARKO APP