Italia ndan 50 milionë euro për trajtimin e personave që vuajnë nga “Covid-i i zgjatur”

Qeveria italiane ka ndarë 50 milionë euro të cilat do të shkojnë për të ndihmuar në trajtimin e 164,000 njerëzve që vuajnë nga probleme serioze shëndetësore të lidhura me “Covid-in e zgjatur.”

Paratë do të përdoren për kontrolle të rregullta, përfshirë zemrën, mushkëritë dhe veshkat, të pacientëve deri në fund të vitit 2023 si pjesë e një strategjie që synon gjithashtu lejimin e mjekëve të bëjnë studime rreth efekteve afatgjata të virusit.

Më shumë se një e treta e italianëve që vuajnë nga simptoma serioze të Covid-it të zgjatur janë nga Lombardia, rajoni më i goditur nga pandemia. Antonio Pisani, një neurolog në qendrën kërkimore Mondino, tha për Il Sole 24 Ore se rreziku i çrregullimeve neurologjike është i lartë.

Ndër simptomat më të zakonshme që ai sheh mes pacientëve janë lodhja e vazhdueshme, marramendja dhe vështirësia në përqendrim.

Ai tha gjithashtu se ka shenja që virusi mund të predispozojë njerëzit për sëmundje përfshirë Parkinson dhe Alzheimer.

“Unë kisha dy pacientë të cilët, para marsit 2020, nuk ishin vizituar kurrë tek një neurolog… një muaj më parë njëri ishte diagnostikuar me Parkinson dhe tjetri Alzheimer. Prandaj është sikur Covid të ishte një përshpejtues për një sëmundje që është tashmë aty, por nuk është shfaqur ende.” 

SHKARKO APP