Italia nis aplikimin e kufizimeve të reja, ndan rajonet sipas rrezikut
Pandemia COVID-19 vijon të përhapet me ritme të shpejta në Itali, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha ekonomike.
Lidhur me këtë situatë, ministri i Shëndetësisë italiane, Roberto Speranza nënshkroi urdhëresën që vendos Lombardinë në zonën e kuqe. Efektet e urdhëresës do të jenë efektive nga nesër deri më 31 janar.
“Nuk kam diskutuar me ndonjë president rajonal dhe nuk do ta bëj edhe tani, pasi të nënshkruaj një urdhëresë ka gjithmonë tensione për disa ditë, atëherë numrat përmirësohen, kurba ulet dhe numri i njerëzve që humbasin jetën bie. Epidemia është ende në një fazë zgjerimi. Masat janë mjeti i vetëm që kemi për të ndërtuar një përgjigje efektive. Lombardia ka qenë tashmë një zonë e kuqe, si rajonet e tjera italiane”, tha ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza.
Guvernatori i Friuli Venezia Giulia, Massimiliano Fedriga, nënshkroi një urdhëresë që lë në fuqi mësimin online në territorin rajonal. Urdhëresa e re hyn në fuqi nga 18 deri më 31 janar.
Rajoni në zonën “e kuqe” është; Lombardia (deri ne 31 janar), Siçilia dhe Bolzano, ndërkohë që 9 të tjera në atë “portokalli”: Abruzzo, Friuli Venezia Giulia, Lazio, Liguria, Marche, Piemonte, Pulia, Umbria dhe Valle d’Aosta.
Ndërkohë që zonat e tjera të Italisë përfshihen në zonën “e verdhë”. Pavarësisht fillimit të fushatës së vaksinimit, alarmi në Itali mbetet maksimal jo vetëm për rastet e shtuara të koronavirusit, por edhe për të ashtuquajturat “variante” të reja të virusit.