Italia: Qendrat shqiptare të migrantëve, modeli i parë i BE-së
“Pika e kthesës që kërkonte qeveria italiane për çështjen e migracionit është arritur”, tha Ministria e Brendshme italiane, sipas shkrimit të Nicoletta Ionta për Euractiv.
Italia njoftoi se miratimi nga Këshilli i BE-së i dosjeve kryesore të migracionit do t’i lejojë më në fund vendit të vërë në funksion dy qendrat e përpunimit të azilit në Shqipëri, pas muajsh pengesash ligjore që i kishin mbajtur ato të pezulluara.
“Qendrat në Shqipëri tani po pozicionohen fuqishëm për të rifilluar të gjitha funksionet për të cilat janë projektuar,” deklaroi ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, në takimin e ministrave të Brendshëm të BE-së në Bruksel.
Sipas tij, këto qendra do të shërbejnë si ambiente paraburgimi për procedurat e përshpejtuara kufitare dhe, mbi të gjitha, do të bëhen shembulli i parë i “qendrave të kthimit” të përmendura në rregulloret e reja të miratuara.
Qendrat në Gjadër dhe Shëngjin, të krijuara sipas protokollit Itali Shqipëri të vitit 2023, ishin parashikuar të strehonin migrantë të rritur meshkuj nga “vendet e sigurta” të shpëtuar në det, të përpunonin shpejt kërkesat e tyre dhe të organizonin kthimin e tyre.
Megjithatë, që prej hapjes së planifikuar në tetor, gjykatat italiane kanë rrëzuar urdhrat e ndalimit dhe kanë sfiduar përcaktimin “vend i sigurt” për disa kombësi, duke e çuar çështjen deri në gjykatën më të lartë të BE-së.
Të hënën, Këshilli miratoi një rishikim të konceptit të “vendit të tretë të sigurt”, i cili e bën më të lehtë refuzimin e kërkesave për azil dhe mundëson deportimet në vendet ku aplikanti ka kaluar transit.
Gjithashtu, ministrat e Brendshëm të BE-së ranë dakord për rregulloren e kthimit, që u mundëson vendeve anëtare krijimin e “qendrave të kthimit” jashtë territorit të BE-së. Po ashtu, Këshilli finalizoi listën e parë të përbashkët të vendeve të sigurta të origjinës.
Kjo listë përshpejton procedurat e azilit për shtetas nga Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Kosova, Maroku dhe Tunizia, si dhe nga vendet kandidate për anëtarësim në BE.
“Italia ka luajtur një rol të rëndësishëm në miratimin e këtyre rregulloreve dhe në sjelljen e çështjeve të migracionit në qendër të debatit,” u shpreh Piantedosi, duke shtuar se “rezultati është shumë i kënaqshëm për Romën”.
KOHA JONË SONDAZH

