Italia rimbyllet, miliona italianë sërish në karantinë të plotë
Rritja e numrit të infeksioneve, pasojë edhe e varianteve të reja të Covid-19 që po qarkullojnë së fundi, ka bërë që pjesa më e madhe e rajoneve në Itali të rimbyllen duke nisur nga sot. Në zonat në fjalë bëjnë pjesë edhe Lazio dhe kryeqyteti Romë, Lombardia me Milanon, Piemonti, Veneto dhe Emilia-Romagna.
Aty mbyllen të gjitha shkollat dhe qendrat ditore si dhe dyqanet. Restorantet lejohen të ofrojnë vetëm ushqime me porosi. Liria e lëvizjes brenda rajonit kufizohet rreptësisht, megjithatë për Pashkë, nga data 3 deri në 5 do të lejohen spostimet e brendshme drejt një familjeje të vetme, një herë një ditë dhe maksimumi do të lëvizin 2 persona.
Njerëzit lejohet të dalin nga shtëpia vetëm për nevoja të domosdoshme, me përjashtim të atyre që u duhet të shkojnë punë ose kanë raste urgjente. Numri i infeksioneve me Covid-19 është rritur javët e fundit në mënyrë të vazhdueshme.
Të shtunën autoritetet njoftuan për rreth 26,000 infeksione të reja me korona dhe për 317 vdekje të lidhura me virusin brenda një dite. Italia ka 60 milion banorë dhe deri tani kanë vdekur më shumë se 100,000 vetë të infektuar me Covid-19.