Italianët në Milano në radhë për ushqim dhe veshje
Një kolonë e gjatë njerëzish prej disa e disa dhjetëra metrash, mbajnë radhën për të marrë ushqime pranë qendrës së Karitas “Buka e përditshme” në qytetin e Milanos.
Janë imazhe të forta që kanë bërë xhiron e botës e rrëfejnë një Itali të përshirë nga varfëria e dëshpërimi i popullsisë që prej më shumë se një vit vuan efektet e krizës pandemike.
Gra, fëmijë, familje, të moshuar qëndrojnë në radhë prej orësh e me dinjitet, për të marrë një pjatë të ngrohtë, veshje e ushqimin e ditës.
Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar Italian të Statistikave numri i të varfërve në Itali ka arritur në 5 milionë e gjysëm persona.
2 milionë të varfër të rinj sipas INSTAT, janë shtuar vetëm gjatë vitit 2020 e në vitin 2021 është llogaritur se do jenë 1.9 milionë familje italiane që nuk do mund të sigurojnë ushqimin jetik, të paktën me dy vakte në ditë.
Sipas organizatës Save the Children Italia, 1 milionë e 137 mijë prej tyre janë nën moshën 18 vjeç e po jetojnë një varfëri të plotë, në mungesë kurash mjekësore përkeqësuar dhe nga mbyllja e shkollave e mensave shkollore që më parë garantonin ushqimin falas për nxënësit e familjeve në nevojë.
Mes të varfërive të rinj në Itali, 2 /3 janë italianë e të tjerë janë emigrantë. janë persona që për shkak të pandemisë kanë humbur vendin e punës e që burokracia u ka vonuar pagesën e asistencës së garantuar nga shteti.
Çdo ditë, sipas qendrës së Caritas “Buka e përditshme” në Milano, janë mbi 3500 persona në radhë për të marrë ushqime.
Sipas INSTAT Italia janë 14 milionë italianë nga rreth 60 milionë që është popullsia vendase, të cilët nuk mund të shpenzojnë më shumë se 1000 euro në ditë e që viti 2021 do t’i vë në rrezik të lartë varfërie.
Lufta kundër varfërisë që ka përfshirë vendin është dhe një nga pesë pikat kyçe të paketës ekonomike prej 32 miliardë euro aprovuar nga qeveria italiane.
Nga kjo paketë, 8 miliardë euro do të shkojnë pikërisht për të ndihmuar familjet në nevojë e personat që kanë humbur vendin e punës.
Paga e emergjencës që shkon deri në 800 euro, është rinovuar dhe për 3 muaj të tjerë e për të gjithë ata persona që përmbushin kushtet.