Izolohet Britania, përpjekje për të mbajtur hapur rrugët e transportit të mallrave

Që prej fundjavës Britania e Madhe është izoluar pasi shkencëtarët aty kanë zbuluar një variant të ri të koronavirusit që besohet se është rreth 70 për qind më infektues. Londra po bën përpjekje për të mbajtur hapur rrugët tregtare. Kryeministri Boris Johnson iu lut presidentit francez Emmanuel Macron për të hapur kufirin për mallrat.

Mbretëria e Bashkuar mbetet e izoluar nga pjesa tjetër e botës për shkak të përhapjes së një varianti të ri të koronavirusit, për të cilin thuhet se është rreth 70 për qind më infektues. Ky izolim ndodh vetëm pak ditë para Krishtlindjes dhe pranë skadimit të afatit për arritjen e një marrëveshjeje tregtare pas Brexit-it me Bashkimin Europian.

Me kampionët e bllokuat në kufirin me Francën dhe raftet e supermarketeve të boshatisur pak para Krishtlindjes, kryeministri Boris Johnson iu lut presidentit francez Emmanuel Macron për të hapur kufirin për mallrat.

Sipas BBC-së qarkullimi i mallrave midis Francës dhe Britanisë do të fillojë të mërkurën, ndërsa për shoferët e kamionëve do të zbatohen testet e shpejta.

“Kemi biseduar me kolegët tanë në Francë për disa çështje dhe puna ka vazhduar pandërprere 24 orë,” i tha sekretarja e Brendshme Priti Patel televizionit Sky News.

Zbulimi i një varianti të ri koronavirusi vetëm disa muaj para se vaksinat të shpërndahen për gjerësisht për publikun ngriti valë të reja paniku në këtë gjendje pandemia ku rreth 1.7 milionë vetë kanë humbur jetën në mbarë botën, prej të cilëve rreth 67 mijë vetëm në Britani.

Nga ana tjetër shkencëtarët kanë siguruar se vaksinat ekzistuese janë efikase edhe ndaj këtij varianti të ri të koronavirusit.

Drejtuesit e firmës gjermane BioNTech që së bashku me amerikane Pfizer prodhuan vaksinën e parë të miratuar, siguruan publikun se vaksina e tyre është efikase edhe ndaj variantit të ri të koronavirusit të zbuluar në Britani.

SHKARKO APP