Izrael, maska e detyrueshme për çdo moshë
Fabrikat por edhe disa burgje në Izrael po prodhojnë maska për të përballuar kërkesën e qytetarëve prej pandemisë. Maskat janë bërë të detyrueshme në publik dhe nuk gjenden lehtë. Të rejat janë përshtatur për çdo moshë, madje edhe për mjekrat.
Prodhimi në masë i maskave shumëpërdorimëshe është një nga mënyrat se si Izraeli po u vjen në ndihmë qytetarëve gjatë krizës pandemike.
Në kohën kur vendi përballet me mungesa të maskave kirurgjike dhe kur është rritur çmimi i tyre në treg, fabrika, por edhe institucione të dënimit, po punojnë pa pushim duke prodhuar plot 1 milion artikuj.
Në makinat qepëse qëndrojnë të rinj vullnetarë që kanë zgjedhur pushimin për 1 vit nga shkolla apo shërbimi i detyrueshëm ushtarak.
Mbulesat mbrojtëse janë prej pambuku, kushtojnë deri 2 dollarë secila, dhe mund të dezinfektohen duke u larë në temperaturën 60 gradë Celsius.
“5 maska për më pak se 10 dollarë, dalin për disa muaj. Avantazhi tjetër është se maskat prej rrobe mund të bëhen me përmasa të ndryshme. Ne kemi për fëmijët, të rinjtë, të rriturit, madje një masë ekstra edhe për burrat me mjekër,” tregon menaxheri i projektit që sponsorizohet nga ministritë e Izraelit të shëndetësisë dhe të mbrojtjes.
Maskat e reja mendohet se janë po aq efikase sa maskat kirurgjike prej letre, por ofrohen kryesisht të bardha për qytetarët dhe blu për policinë, pasi shumë pigmente rrezikojnë sëmundjet respiratore, sipas modelistes së maskës.
“Duhet të ngjajë mirë te kushdo, e thjeshtë dhe jo aq e dukshme apo mjekësore. Për më tepër e bardha i tregon mirë papastërtitë dhe se kur është koha që maska të lahet.”
Nga dita e diel, për izraelitët është bërë e detyrueshme mbulimi i gojës dhe i hundës në daljet publike.
Prej datës 15 mars, qeveria ka mbyllur të gjitha institucionet arsimore dhe bizneset, me përjashtim të supermarketeve, farmacive, pikave të karburantit dhe bankat. Në rrugët e zbrazura të kryeqytetit ndalohet edhe hyrja e shtetasve të huaj pa rezidencë në Izrael.Numri i izraelitëve të infektuarve me koronavirus ka kaluar 12 mijë dhe 148 veta kanë humbur jetën.