Izraeli do “pakt të ri” për Iranin: Marrëveshja e vjetër kërcënon ekzistencën tonë

Izraeli dhe Amerika do të punojnë bashkë për të përditësuar marrëveshjen për programin atomik të Iranit, që ai të mos cenojë sigurinë rajonale.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Beni Ganc, dhe sekretari amerikan i mbrojtjes, Loid Ostin, u takuan të dielën mbi çështjen në Tel-Aviv.

Izraeli mendon se pakti i vitit 2015 kërcënon ekzistencën e vet dhe nuk i ndal ambiciet e Iranit për të zhvilluar bomba bërthamore.

“Teherani sot përbën një kërcënim strategjik për sigurinë ndërkombëtare, për tërë Lindjen e Mesme dhe për shtetin e Izraelit,” tha ministri i mbrojtjes së Izraelit.

Sekretari Ostin është i dërguari i nivelit më të lartë në Izrael nga presidenti Joe Biden, dhe theksoi se dy vendet do e vijojnë aleancën.

“Angazhimi ynë me Izraelin është i gjatë dhe i hekurt. Do të vazhdojmë të garantojmë avantazhin cilësor ushtarak dhe të forcojmë sigurinë e Izraelit,” tha sekretari i mbrojtjes amerikane.

Presidenti amerikan ka shprehur gatishmëri për rikthimin te marrëveshja me Iranin që abrogoi paraardhësi i tij, Donald Trump.

Republika islamike nuk po i përmbahet kushteve të marrëveshjes së vjetër duke kërkuar nga pala amerikane që ta çlirojë nga sanksionet.

Teherani përuroi një ditë më parë centrifuga të reja për pasurimin më të shpejtë të uraniumit, edhe pse thotë se qëllimi nuk është ta përdorë në armë apo bomba atomike.

SHKARKO APP