Izraeli drejt zgjedhjeve të katërta

Mospajtimet brenda koalicionit po rrezikojnë ta shtyjnë Izraelin drejt zgjedhjeve të katërta të përgjithshme brenda dy viteve.

Parlamenti izraelit refuzoi në mbrëmje propozimin e qeverisë për buxhetin 2020, duke i lënë ekzekutivit kohë deri të martën në mesnatë për të gjetur konsensusin mbarëpolitik.

Në të kundërt, si datë e zgjedhjeve është paralajmëruar 23 marsi 2021.

Kryeministri Benjanim Netanjahu dhe aleati i tij, Beni Ganx, bashkuan votat pas zgjedhjeve të 2 marsit me kushtin që Netanjahu të udhëhiqte pjesën e parë të mandatit trevjeçar, dhe aleatët, me rotacion, të merrnin drejtimin e pushtetit për 18 muajt e mbetur.

Por Ganx deklaroi të hënën se kjo kontratë politike nuk po respektohet.

Ai u tha deputetëve të tij bardheblu se i kishte parashtruar Netanjahut disa kërkesa në këmbim të mbështetjes për buxhtetet e shtetit, dhe ndër to ishin zhbllokimi i emërimeve në postet e larta, zgjidhja e pengesave ligjore që do e lejonin të merrte në dorëzim pushtetin sipas marrëveshjes, mbajtja e postit të ministrit të Drejtësisë dhe miratimi i rregullave të procedurës parlamentare.

“Ia dhashë Netanjahut ofertën me pritshmërinë se do të më përgjigjet, por parashikoj që nuk do e pranojë dhe parlamenti mund të shpërndahet automatikisht,” shtoi Ganx.

Opozita në ditët e fundit ka akuzuar kreun e qeverisë, Netanjahun, se po tenton të caktojë njerëzit e vet në Prokurori dhe në Ministrinë e Drejtësisë, me synimin për të ndikuar në çështjet penale të hapura ndaj tij për korrupsion, ryshfet dhe shpërdorim detyre.

Nëse shpallet i fajshëm, 71-vjeçari Netanjahu rrezikon 10 vite burg pasi ka aq kohë në pushtet.

SHKARKO APP