Izraeli pret përgjigjen e Iranit, Hamasi emëron pasuesin e Haniyeh. Përfaqëson një “mesazh të fortë rezistence”
Një javë pas vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismael Haniyeh në Teheran, Hamasi ka emëruar Yahya Sinwar si pasuesin e tij. Zgjedhja e Sinwar si lideri i ri politik i Hamasit përfaqëson një “mesazh të fortë rezistence” dërguar Izraelit, dhjetë muaj pas fillimit të luftës në Gaza. “Kjo zgjedhje është një mesazh i fortë për okupatorin se Hamasi po vazhdon në rrugën e rezistencës”, tha zyrtari i fraksionit palestinez.
Ndërkohë komuniteti ndërkombëtar mbetet me frymën pezull në pritje të hakmarrjes iraniane kundër Izraelit. Regjimi i ajatollahëve u ka komunikuar ambasadorëve të huaj synimin e tij për të goditur shtetin hebre dhe ka nisur manovrat përgatitore, duke lëvizur raketat, por në të njëjtën kohë duket se do ende kohë.
Për Hassan Nasrallah kjo është një strategji e saktë: “Pritja është pjesë e dënimit”, paralajmëroi lideri i Hezbollahut, duke premtuar një sulm nga i gjithë boshti shiit, duke përfshirë edhe Huthit. Një njoftim i paraprirë nga luftëtarët izraelitë që fluturonin mbi Bejrut, në lartësi të ulët, si një akt sfide dhe pas një dite tjetër shkëmbimi zjarri midis IDF dhe milicive libaneze, të cilët vendosën gjithashtu drone Shahed.