Je prekur nga Covid-19? Testin e bëni vetë në shtëpi
Humbja e nuhatjes, është një simptomë e zakonshme e Covid-19. Një epidemiolog i sëmundjeve infektive, ka aplikuar njohuritë përkatëse për të zhvilluar programe të testimit bazuar në nuhatje. Sipas disa vlerësimeve, 44-77% e njerëzve humbasin nuhatjen. Shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm që e kanë humbur dhe përpiqen të nuhasin në mënyrë aktive diçka që supozohet të vijë erë, si për shembull, një qiri aromatik.
Kjo është arsyeja pse studiuesit po i inkurajojnë njerëzit që të nuhasin diçka çdo ditë. Mund të përdoret si një mjet i përditshëm kontrolli nga individët, në luftën kundër Covid-19. Anosmia e papritur dhe e pashpjegueshme është një simptomë specifike e Covid-19.
Virusi ndikon në shqisën tuaj të nuhatjes ndryshe nga ftohje të tjera të zakonshme. Kur hunda juaj është e zënë, aromat, molekulat e lehta aktive të aromës që gjenden në ajër, fizikisht nuk janë në gjendje të arrijnë receptorët e erës në pjesën e sipërme të zgavrës tuaj të hundës.
Hulumtimet kanë treguar se virusi sulmon qelizat prapa urës së hundës menjëherë pranë neuroneve të nuhatjes. Këto qeliza mbështetëse janë të mbuluara me shumë receptorë ACE2, që virusi i shfrytëzon për të hyrë në qeliza. Në këtë mënyrë, ju nuk sinjalizoni praninë e asnjë arome.
Ndryshe nga ftohja e zakonshme, shumë pacientë me Covid-19 gjithashtu humbin shijen. Analizat sugjerojnë që nëse do të duhej të zgjidhnit vetëm një simptomë, humbja e papritur e nuhatjes, mund të jetë parashikuesi i vetëm më i mirë i një diagnoze të Covid-19. Nga ana tjetër, të jeni në gjendje të nuhasni nuk do të thotë se ju nuk keni Covid-19. Nëse provoni rregullisht të nuhasni një aromë të fortë, por nuk ndjeni asgjë, duhet të flisni me mjekun tuaj.