Joe Biden po përballet me një krizë serioze humanitare në kufi
Gjëja e parë që shihni sapo urën në Rejnoza, në kufirin midis Meksikës dhe Teksasit, është një tabelë e madhe bardhë që shkruan “Bingo” me shkronja të kuqe vezulluese. Ajo është në fakt një reklamë për një kazino aty pranë.
Por për cilindo që synon të hyjë në Shtetet e Bashkuara, ajo përbën gjithashtu një kujtesë se sa e vështirë do të jetë jeta aty, dhe se sa shumë fat do t’i duhet për t’ia dalë. Sot shumë emigrantë po mësyjnë drejt Shteteve të Bashkuara me shpresën se fati është në anën e tyre.
Dhe sidomos tani që në Shtëpinë e Bardhë ndodhet një president më mbështetës ndaj tyre. Nga tetori 2020 deri në shkurt të këtij viti, Dogana dhe Mbrojtja Kufitare (CBP), përgjegjëse për mbikëqyrjen e kufijve amerikanë, ka kapur rreth 400.000 njerëz përgjatë kufirit jugperëndimor të SHBA-së.
Kjo shifër është gati dyfishi në krahasim me të njëjtën periudhë të viteve 2019-2020, dhe një rekord që nga viti 2006. Administrata e Joe Biden, pret që në pikat e kalimit të kufirit, fluksi të arrijë nivele të papara në 2 dekadat e fundit. Dhe shumica e njerëzve që e ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm, as që arrijnë të gjurmohen.
Matt Robinson, kreu i sigurisë për Fondacionin Lindor, një organizatë jofitimprurëse që mbulon një territor prej 215.000 hektarësh në Teksasin Jugor (një zonë me madhësinë e qytetit të Nju Jorkut), beson se numri i emigrantëve që kanë kaluar në atë zonë që nga vjeshta, ishte 20 herë më e lartë se një vit më parë.
“Situata ndryshoi shumë shpejt, u përmbys. Unë nuk e di nëse për ta ka ende ndonjë pengesë”- ”thotë Urbino Martinez, sherifi i Qarkut Bruks, që ndodhet 110 kilometra në veri të kufirit, dhe që ka reputacionin e trishtuar e të qenit një zonë ku emigrantët vdesin shpesh nga dehidratimi.
Ajo që e ndërlikon edhe më shumë situatën, është cënueshmëria e njerëzve që mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara. Nga tetori në shkurt, rreth 30 mijë të mitur u paraqitën në kufi pa asnjërin nga prindërit. Qeveria beson se në vitin 2021, numri i përgjithshëm i fëmijëve të pashoqëruar mund të arrijë në 120.000, ose 54 për qind më shumë sesa kulmi i mëparshëm i vitit 2019.
Administrata Biden, ka zgjedhur që të lejojë hyrjen e këtyre fëmijëve në vend në vend, duke krijuar probleme të mëdha për akomodimin e tyre, në ambiente që nuk janë të përshtatshme për të miturit, dhe në kushte ku hapësirat në dispozicion janë zvogëluar për shkak të pandemisë.
Më 13 mars, administrata Biden njoftoi dërgimin e personelit nga Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave në kufirin meksikan. Por edhe duke vepruar shpejt, situata aktuale paraqet një sfidë të vështirë për Joe Biden.
Presidenti po përpiqet të zbatojë një politikë më humane mbi emigracionit sesa paraardhësi i tij. Por ai do të donte t’i pengonte njerëzit që të mësyjnë kufirin duke e prishur sistemin aktual, dhe duke e tërhequr kësisoj vëmendjen nga reforma e tij mbi politikën e emigracionit.
Shtetet e Bashkuara, janë përballur edhe në të shkuarën me rritje të flukseve migratore, shpesh për shkak të faktorëve që janë përtej kontrollit të Shtëpisë së Bardhë. “Pas bllokadës së Donald Trump, ishte e pashmangshme që do të kishte një rritje të këtij fluksi”- thotë Lee Gelernt i Unionit Amerikan për Liritë Civile.
Në fakt, gjatë mandatit të tij Trump bëri mbi 1 mijë ndryshime në sistem, shumë prej të cilave e vështirësuan shumë hyrjen në Shtetet e Bashkuara dhe kërkimin e azilit. Vitin e kaluar, Trump e vulosi në thelb kufirin e SHBA, duke evokuar “Titullin 42”, një direktivë e lidhur me sigurinë shëndetësore, e cila nën pretekstin e pandemisë autorizoi dëbimin e shpejtë të gjithë njerëzve që kalonin kufirin.
Ajo direktivë krijoi një grumbull të madh njerëzish, të gatshëm për të ri-tentuar hyrjen në SHBA. Për më tepër në vitin 2020 dhuna, varfëria, paqëndrueshmëria politike dhe ekonomike si dhe disa uragane, shtynë shumë njerëz të largohen nga “Trekëndëshi Verior”, ose El Salvadori, Guatemala dhe Hondurasi.
Nga këto vende janë kryesisht familjet që hyjnë në SHBA për të kërkuar azil. Edhe shumë meksikanë provojnë fatin e tyre, të prekur nga humbja e vendeve të punës për shkak të krizës ekonomike.
Kushtet e vështira në shumë vende në jug të Shteteve të Bashkuara, janë përtej kontrollit të Biden, por mesazhi që u dërgohet këtyre vendeve nuk është i tillë. Disa nga vendimet e presidentit, kanë dhënë përshtypjen se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend që të zbatojnë ligjet e saj të emigracionit, dhe se ato duan të sinjalizojnë një ndryshim nga politikat e ndjekura nga Trump mbi kufirin.
Për shembull, në janar të këtij viti administrata e Joe Biden, ndaloi dëbimet e emigrantëve të parregullt, të cilët mund të qëndronin në vend vetëm për 100 ditë (nisma u sabotua nga shteti i Teksasit, dhe nga një vendim gjykate). Ndërkohë trafikantët, që i çojnë emigrantët në SHBA, po përfitojnë nga qasja e dyfishtë e Uashingtonit, për të bërë biznes.
Norma Pimentel, kryetare e organizatave katolike në Luginën e Rio Grandes, dhe që zakonisht ndihmon familjet e sapo ardhura, beson se krimi i organizuar po përhap lajmin se tani është koha e duhur për t’u futur në SHBA.
Emigrantët e Amerikës Qendrore i paguajnë kontrabandistët rreth 10 mijë dollarë.
Këtu përfshihet një “kojotë” (guidë), që do t’i përmes terrenit të ashpër të shkretëtirës dhe deri në 3 përpjekje për të kaluar kufirin në rast se përgjohen nga policia kufitare.
Shumë familje shpresojnë të paraqiten në kufi dhe të aplikojnë për azil. Dy nga ndryshimet e fundit të Biden, kanë nxitur thashethemet se tani do jetë më e lehtë të hysh në Shtetet e Bashkuara.
Së pari, Biden i dha fund programit të Trump “Qëndro në Meksikë!”. Ai kërkonte nga njerëzit që synonin të hynin në Shtetet e Bashkuara, të qëndronin në jug të kufirit derisa të plotësonin dokumentet. Kohët e fundit qindra emigrantë që jetonin në kushte mjerane në disa kampe refugjatësh në Matamoros të Meksikë, pa ujë të rrjedhshëm ose energji elektrike, u transportuan në Shtetet e Bashkuara dhe u lanë të lirë në pritje të përgjigjes mbi kërkesën e tyre për azil.
Së dyti, ndonëse ka lënë në fuqi “Titullin 42”, dhe për këtë arsye edhe mundësinë e dëbimit të menjëhershëm të shumicës së emigrantëve, Biden ka zgjedhur të mirëpresë të miturit e pashoqëruar pavarësisht nga e drejta e tyre për azil, apo edhe rrethana të tjera të veçanta.
Por ky vendim ka pasur një pasojë të padëshiruar:tani prindërit po i dërgojnë fëmijët e tyre vetëm në Shtetet e Bashkuara, pasi kështu ata kanë një shans më të mirë për të qëndruar aty.
Javët e fundit, shumë familje janë zhvendosur në Shtetet e Bashkuara, edhe për shkak të një vendimi të qeverisë meksikane, e cila nuk ka ndërmend të mirëpresë familje emigrantësh me fëmijë të vegjël që CBP-ja amerikane i ka dëbuar nën “Titullin 42”.
Kjo do të thotë që familjet me fëmijë nën moshën 6-vjeçare kanë papritmas një portë të hapur drejt Shteteve të Bashkuara. Gjatë muajve të ardhshëm, Biden do ta gjejë veten në kurth midis 2 forcave kundërshtare të fuqishme. Njëra është krahu i majtë i partisë së tij, që është bërë gjithnjë e më radikal mbi çështjen e emigracionit.
E dyta përfaqësohet nga republikanët, të cilët tashmë e kanë bërë të ditur, se janë gati ta kthejnë kufirin në temën kryesore për të rifituar kontrollin e Kongresin në zgjedhjet e mesit të mandatit të vjeshtës së vitit 2022. Nëse Biden do të dështojë të menaxhojë rritjen e fluksit migrator, kjo çështje mund t’u kushtojë demokratëve disa vende në Kongres dhe Senat, siç ndodhi në vitin 2020 me fushatën për të reduktuar fondet për policinë.
*Marrë nga Abc News