Johnson bllokon shtyrjen e brexit
Pas më shumë se tri vitesh debate, qeveria britanike është e vendosur të zgjidhë me shpejtësi çështjen e brexitit. Projektligji i dakordësuar me Bashkimin Europian pritet të hidhet në votim të premten. Një amendim i fundit përjashton shtyrjen e procesit.
Kryeministri i saporizgjedhur britanik, Boris Xhonson, synon të përmbushë premtimin për nxjerrjen e vendit nga BE-ja duke e përjashtuar me ligj shtyrjen e periudhës tranzitore të Brexitit përtej 2020-ës.
Amendimi i i qeverisë pritet të hidhet në votë të premten pasi të jetë konstituar parlamenti dhe të jetë mbajtur fjalimi i mbretëreshës Elizabeta e Dytë.
Shtojca është pjesë e projektligjit që parashikon realizimin e Brexitit brenda 31 janarit 2020.
Bashkimi Europian ka paralajmëruar më herët se realizimi i klauzolave mund të marrë më shumë kohë sesa afati i paramenduar nga qeveria britanike.
Ndërkohë, Xhonson shprehet optimist, edhe pse kritikët druhen se ky plan i tij rrezikon realizimin e Brexitit pa marrëveshjen paraprake me Brukselin.
Të hënën, shefi i qeverisë priti 109 deputetët e rinj konservatorë që arritën fitore në zgjedhjet e përgjithshme të 12-dhjetorit.
Fushata e fokusuar më së pari te Breksiti dhe rritja e financimeve për sistemin shëndetësor u siguroi konservatorëve 365 mandate nga 650 në total.
Laburistët pësuan humbjen më të thellë prej tetë dekadash, duke marrë 203 mandate, rezultat për të cilin lajmëroi largimin edhe kryetari Xheremi Korbin.