Johnson plan për 100 ditët e para
Konservatorët britanikë shpresojnë për një tjetër mandat qeverisës në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Boris Xhonson ka zbuluar programin e 100 ditëve të para me fokus Breksitin dhe 7 prioritete të tjera. Ai vazhdon të ruajë avantazhin me 10 pikë përballë opozitarëve laburistë.
Kryeministri, Boris Xhonson, ka prezantuar planin e 100 ditëve të para në qeveri nëse fiton zgjedhjet e parakohshme që mbahen javën e ardhshme.
Xhonson tha se fokusi i tij do të jetë realizimi i Breksitit në fund të janarit 2020.
Prioritete të tjera do të jenë rritja e pragut të sigurimeve shoqërore, ulja e taksave për shtresat me të ardhura të pakta, rritja e buxheteve të mbrojtjes, diplomacisë, shëndetësisë dhe arsimit, përmirësimi i shërbimeve celulare në zonat rurale dhe prezantimi i një sistemi të pikëzuar për emigrantët, që rrit kontributet e tyre për shërbimin shëndetësor.
“Ta kemi absolutisht të qartë. Ky është moment historik për ne. Popullit britanik i ka mbetur 7 ditë që të zgjedhë mes një qeverie mazhoritare ose një tjetër parlamenti të paralizuar,” deklaroi Xhonson.
Opozitarët i kanë quajtur fantazi premtimet elektorale të konservatorëve.
Laburistët e Xheremi Korbinit thonë se nëse Xhonson rivjen në pushtet, sektorët si shëndetësia rrezikojnë të privatizohen.
Në manifestin e tyre, theksi vihet te shtetëzimi i shërbimeve bazë, pagat më të larta në shtet, shpenzimet në infrastrukturë dhe shëndetësi, dhe adresimi i emigracionit dhe ndryshimeve klimatike.
Sondazhet e fundit vënë konservatorët me 10 pikë avantazh para laburistëve, edhe pse 21 për qind e të intervistuarve thonë se mund të ndërrojnë mendim në datën 12 dhjetor.