Johnson shpreson për një rikthim në normalitet për Krishtlindje

Kryeministri britanik, Boris Johnson njoftoi sot fazat e tjera të lehtësimit të kufizimeve në vendin e tij duke theksuar se shpresonte për një rikthim në normalitet më herët duke nisur nga nëntori, ndoshta për Krishtlindje.

Me 45 000 të vdekur, Britania e Madhe është vendi më i prekur në Europë nga pandemia dhe qeveria konservatore e Boris Johnson ndodhet mes kritikave për menaxhimin e krizës.

Sidoqoftë, udhëheqësi konservator ishte mjaft optimist për të ardhmen.

“Shpresoj shumë dhe sinqerisht që ne të mund të heqim masat e jashtëzakonshme, të vendosura për të parandaluar përhapjen e epidemisë dhe për të mundësuar një rikthim në në normalitet sa më shpejt që të jetë e mundur duke nisur nga nëntori, mbase në kohë për Krishtlindje”, theksoi ai në një konferencë shtypi.

Për të bërë këtë, qeveria synon të rrisë kapacitetet e depistimit, duke parashikuar 500 000 teste në ditë, rreth 3,5 milionë në javë në fund të tetorit.

Boris Johnson zbuloi gjithashtu etapat e ardhshme të planit të tij për daljen graduale të Anglisë nga kufizimi i vendosur më 23 mars për të luftuar kundër përhapjes së koronavirusit të ri.

Drejtuesi konservator inkurajoi anglezët të rimarrin transportin publik që prej të premtes dhe i nxitit ata të rikthehen në vendet e tyre të punës duke nisur nga 1 gushti, duke u mbështetur tek punëdhënësit për të vendosur nëse punonjësit duket të vazhdojnë punën nga shtëpia apo të rikthehen në një mjedis pune konform rekomandimeve.

Një ditë më parë, këshilltari shkencor i qeverisë, Patrick Vallance kishte theksuar se puna nga shtëpia ishte një zgjidhje e mirë dhe nuk kishte arsye për të ndryshuar rekomandimet përsa i përket kësaj çështjeje.

SHKARKO APP