Kamioni me 39 të vdekur/ Dalin detaje të reja nga tragjedia, policia: Hyri në Angli nga Belgjika përmes tragetit
Detaje të reja kanë filluar të dalin në lidhje me zbulimin makabër të 39 personave të vdekur brenda një kamioni në Angli ndërsa policia përpiqet të bashkojë pjesët e kësaj tragjedie.
Shoferi 25-vjeçar nga Irlanda Veriore është arrestuar me dyshimin për vrasje. Ndërsa policia e Essex nuk e ka identifikuar zyrtarisht atë, disa media në SHBA shkruajnë se ai është Mo Robinson, nga Portadown, County Armagh.
Një profil në Facebook me një emër të ngjashëm e identifikon atë si një shofer kamioni dhe përfshin fotografi të tij në kabinën e kamionit ose ngjitur me automjetet që transportojnë.
Policia e Essex korrigjoi teorinë e tyre të mëparshme se si kamioni hyri në Mbretërinë e Bashkuar, duke thënë se udhëtonte nga Bullgaria për në Angli, jo nga Irlanda siç deklaruan më parë.
Kontejneri i pasmë i kamionit të bardhë- i cila ishte regjistruar në Bullgari – shkoi nga Zeebrugge në Belgjikë e më pas në Purfleet në Angli përmes trageteve rreth orës 00:30 të mëngjesit të së mërkurës, tha policia. Ai u fut në zonën e Thurrock menjëherë më pas dhe e la portin pas orës 01:05 në mëngjes.
Policia tha se pjesa e përparme e automjetit – mund ta ketë origjinën në Irlandën Veriore.
Më herët, autoritetet e mëparshme kishin thënë se kamioni shkonte nga Irlanda për në Uells. Policia tha se 38 prej viktimave ishin të rritur, ndërsa një prej tyre adoleshent. Asnjë detaj tjetër nuk u dha.
“Ky është një incident tragjik kur një numër i madh njerëzish kanë humbur jetën. Hetimet tona janë duke vazhduar për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur”, iu tha shefi i policisë Essex, Andrew Mariner gazetarëve në një konferencë për shtyp. “Ne jemi në proces të identifikimit të viktimave; megjithatë, unë parashikoj që ky mund të jetë një proces i gjatë”.
Ministria e Jashtme Bullgare konfirmoi se kamioni “Scania” i prodhuar nga Suedia është regjistruar në qytetin portual të Varnës në Detin e Zi në emër të një kompanie në pronësi të një gruaje nga Irlanda.
Pamjet e kamerave të sigurisë të përcjella nga Sky News treguan se automjeti shkoi drejt parkut industrial vetëm pak minuta para se trupat të gjendeshin brenda.
“Falënderojmë të gjithë në zonë, veçanërisht banorët dhe bizneset lokale, për durimin dhe dhembshurinë e tyre gjatë gjithë ditës”, tha policia në një deklaratë. “Ky do të jetë një hetim i gjatë dhe kompleks dhe ne vazhdojmë të punojmë me partnerët lokalë dhe autoritetet ndërkombëtare për të mbledhur informacione dhe për të identifikuar viktimat”.
Policia nuk e ka lidhur zyrtarisht vdekjen me trafikimin e qenieve njerëzore, por ekziston një pistë e tillë për shkak të mënyrës se si viktimat u futën në kontejnerin e kamionit.
Policia tha që kabina dhe kontejneri i kamionit janë ende në vendin e ngjarjes dhe do të transferohen në një vend të sigurt në Tilbury Docks në Essex, kështu që kufomat “mund të rikuperohen duke ruajtur dinjitetin e viktimave”, njoftoi Sky News.
Richard Burnett, shefi ekzekutiv i Shoqatës së Transportit Rrugor, i tha BBC-së se kontejneri i kamionit dukej të ishte një njësi frigoriferike, ku temperaturat mund të arrinin në -25 gradë Celsius.
Kryeministri britanik Boris Johnson u zotua në një “Tweet” për bashkëpunim të ngushtë me Policinë Essex për të sqaruar saktësisht atë që ndodhi dhe më vonë i tha Parlamentit se kontrabandistët e njerëzve do të ndiqeshin penalisht dhe do të përballeshin me forcën më të plotë të ligjit.
Ndërkohë disa orë më vonë, nëntë emigrantë u gjetën të gjallë në një kamion në Kent, sipas Sky News.