Kanada: Bie avioni akrobatik, humb jetën pilotja
Një avion i forcës ajrore kanadeze është rrëzuar duke i marrë jetën një prej piloteve. Mjeti fluturues po përgatitej për akrobacira në ajër për të ngritur moralin e qytetarëve që përballen me koronavirusin.
Një fluturim që synonte të inkurajonte qytetarët dhe stafin mjekësor kanadez teksa luftojnë me pandeminë e koronavirusit ka rezultuar tragjik për një nga pjesëtaret e forcave ajrore të vendit.
Viktima e identifikuar si kapitenia e forcës ajrore kanadeze, ishte sapo ishte ngritur nga aerodromi dhe po manovronte në afërsi të një tjetër avioni akrobatik kur mjeti i saj fluturues u vërejt tek lëshonte shkëndija zjarri dhe humbi kontrollin, duke u rrëzuar pjesërisht mbi çatinë dhe oborrin e një banese private në perëndim të Kanadasë.
Shkaku i zjarrit ende nuk është konfirmuar.
Kapitenia Xhen Kejsi nuk arriti t’i mbijetojë aksidentit ndërsa bashkëpiloti i saj mori vetëm plagë të lehta duke mundur të hapë në kohë parashutën.
“Teksa avionët po përgatiteshin për Operacionin Frymëzimi, pësuan një aksident të pafat në qytetin e Kamlupit, rreth orës 11:30 të paradites,” u shpreh kryetari i bashkisë ku ndodhi ngjarja.
Vetë kryeministri kanadez, Xhastin Trudo, shprehu keqardhjen për humbjen e pilotes dhe ngushëlloi të afërmit e viktimës.
Forca ajrore kanadeze prej fillimmajit po zhvillon një tur me akrobacira në ajër për të ngritur moralin e qytetarëve në këtë kohë pandemie të kovidit.