Kanada, COVID-19 shkakton rritje të papunësisë në 13% gjatë muajit prill
Kanadaja regjistroi një normë papunësie prej 13 % për muajin prill, 5,2 pikë më të lartë se në mars, rritja më e madhe mujore që nga viti 1982, njoftoi sot Instituti Kombëtar i Statistikave.
Në total, që nga fillimi i krizës ekonomike e lidhur me pandeminë e koronavirusit në mes të marsit, ekonomia kanadeze ka humbur më shumë se tre milionë vende pune.
“Këto shifra na tregojnë atë që ne të gjithë e dimë, shumë kanadezë po vuajnë si rezultat i kësaj pandemie”, tha kryeministri, Justin Trudeau, gjatë konferencës së tij të përditshme për shtyp.
Shifrat e papunësisë për muajin prill janë, megjithatë, nën parashikimet e analistëve që parashikojnë një shkallë papunësie prej 20% dhe pesë milionë vende të humbura.
Quebec, provinca që ka më shumë se gjysmën e rasteve të infektimit dhe vdekjeve me COVID-19 në vend, është ajo që regjistroi rritjen më të madhe të papunësisë, në 17%.
Që nga 19 prill, 6,7 milionë kanadezë kanë bërë kërkesë për një përfitim emergjence, një program qeveritar për të ndihmuar kanadezët që janë pa të ardhura për shkak të koronavirusit. (Atsh)