Kancelari i ardhshëm i Austrisë, kërkon të thellojë lidhjet me Gjermaninë dhe Bashkimin Europian.
Koalicioni i ri qeveritar i Austrisë kërkon të thellojë marrëdhëniet me Gjermaninë. Kështu deklaroi kancelari i ardhshëm Sebastian Kurz, lider i Partisë Popullore, në një intervistë për të përditshmen gjermane Bild. “Me Gjermaninë na bashkojnë shumë lidhje personale, ekonomike, politike dhe kulturore. Pres të vijojmë bashkëpunimin me qeverinë gjermane dhe sidomos me kancelaren Angela Merkel – mbi të gjitha në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dypalshë dhe gjithashtu brenda Bashkimit Europian,” deklaroi Kurz.
Por përtej vullnetit të treguar nga Kurz, qeveria e re e Vienës është hasur me reagime të ndryshme në Gjermani. Aleatët bavarezë të Merkel, Unioni Kristian-Socialist e ka mirëpritur zgjedhjen e Sebastian Kurz në krye të ekzekutivit austriak. Por Social-Demokratët, partnerë të mundshëm të koalicionit qeverisës gjerman, kanë ngritur shqetësime për zhvendosjen e Austrisë në kahun e djathtë politik. Kjo prirje ka alarmuar edhe Bashkimin Europian, teksa pritet të shihet sesi qeveria e re e Vienës do të ndërveprojë me Brukselin sidomos lidhur me çështjen e emigracionit. Kurz është përpjekur të hedhë poshtë çdo shqetësim, teksa ka premtuar se qasja e tij ndaj emigracionit nuk do të dëmtojë marrëdhëniet me Gjermaninë dhe Bashkimin Europian.
KOHA JONË SONDAZH

