Kandidati për gjyqtar shpërthen në lot
Akuzat për diskrimimin e personave LGBT kanë përlotur një kandidat për kreun e një gjykate qendrore të Apelit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lorens VanDajk, ndihmëssekretari i Departamentit të Drejtësisë ishte nominuar nga vetë presidenti Donald Trump për integritetin dhe profesionalizmin e tij.
Kandidati për kreun e njërës prej gjykatave amerikane i ka përjetuar emocionalisht akuzat për diskriminim të personave të komunitetit LGBT.
Lorens VanDajk, i nominuari nga presidenti Donald Trump për gjykatën qendrore të Apelit, shpërtheu në lot kur në seancën e konfirmimit, u përball me një letër të organizatës së avokatëve profesionistë që e cilësonin të pakualifikuar për shkak të pikëpamjeve të tij.
“Të tjerët ju citojnë dhe thonë se ju nuk do të ishit i drejtë me personat gej, lesbike apo pjesëtarët e komunitetit LGBTQ. Si e shpjegoni këtë?” pyeti një nga anëtarët e Senatit në komisionin për çështjet ligjore.
“Senator, këtë pjesë të letrës, nuk e kam thënë unë. Kërkoj ndjesë, të më falni. Unë besoj fort se të gjithë njerëzit janë krijuar sipas imazhit të Zotit,” u përgjigj VanDajk teksa gulçonte dhe qante me dënesë.
Senatorët demokratë ngritën edhe një shkrim të të tijin nga viti 2004 ku shprehej i shqetësuar për çiftet gej që kërkonin të rritnin fëmijë.
Kundërshtarët republikanë thanë se kandidati duhet të vlerësohet për integritetin, kompetencat profesionale dhe temperamentin si gjyqtar, ndaj kërkuan të mos merren parasysh pretendimet e tjera.
Vetë ish-avokati dhe studenti i Harvardit, VanDajk, premtoi se në postin e ri si kryegjyqtar federal do i trajtojë me dinjitet dhe respekt të gjithë personat.