Kaos në Londër, largime masive nga kryeqyteti pas masave të reja antiCovid
LONDER
Mijëra njerëz u dyndën në aeroporte, stacionet e trenave, të trageteve të shtunën në Londër, pasi kryeministri Boris Johnson njoftoi se kryeqyteti britanik dhe një pjesë shumë e madhe e qyteteve angleze do të hynin në një regjim më të fortë masash kundër koronavirusit për festat e fundvitit.
Deklarata e kreut të qeverisë duket se shkaktoi panik te banorët e Londrës të cilët në turma të mëdha “pushtuan” stacionet e trenave dhe rrugët për t’u larguar.
Masat e reja që prezantoi kryeministri ditën e shtunë përfshinin masa drakoniane që nuk ishin parë që prej nisjes së pandemisë, ku përfshihen mbyllja e të gjithë dyqaneve dhe urdhri për të qëndruar në shtëpi.
Një arsye tjetër e largimit ishte se shumë londinezë kishin parashikuar udhëtime për festa pasi pritej një lehtësim i masave më 23 dhjetor, që tashmë nuk ndodhi.