Kaos për planin e rikuperimit të vendeve nga pandemia, Parlamenti Europian bllokon fondet
Parlamenti europian ka bllokuar fondet për planin e rikuperimit të vendeve si pasojë e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Por dhe të buxhetit shumë vjeçar të Bashkimit Europian. Pa një marrëveshje mes parlamentit dhe këshillit europian nuk do të ketë asnjë ndihmë financiare për vendet e gjunjëzuara nga pandemia e Covid-19, raporton ilgiornale.it
Në momentin që të gjithë prisnin sinjale pozitive, ndodh dhe përplasja mes parlamentit dhe shteteve anëtare duke rrezikuar miratimin e paketës së ndihmës financiare. Gjë që do të rezultonte në një vonesë të mëtejshme të zhbllokimit të fondeve europiane të vendosura nga qeveritë në muajin korrik si një reagim ndaj krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Sipas burimeve të italianes ‘La Stampa, parlamenti europian dhe Fondi i Rikuperimit rrëzuan propozimin e një dite më parë të këshillit europian. Sipas këtij propozimi pritej një shtim fondesh vetëm për disa nga programet e Bashkimit Europian. Ata kërkuan një shtim burimesh për 15 kapituj shpenzimesh, si dhe përforcimin e kushteve që lidhen me respektimin e shtetit të së drejtës për të përfituar nga fondet europiane.
Eurodeputeti belg Overtveldt u shpreh se krerët e shteteve dhe të qeverive kanë lënë pas dore vlerën e shtuar të programeve vërtetë europiane. Njëkohësisht president i komisionit të buxhetit ai e drejtoi këtë ankesë në formë të shkruar. Politikani belg i cilësoi të papranueshme propozimet për parlamentin; dhe shtoi se do të mund të ketë një marrëveshje të shpejtë në avantazh të qytetarëve europianë, vetëm nëse do të ketë një propozim real për të përforcuar programe të domosdoshme për shtatë vitet e ardhshme.
Nuk ka vonuar reagimi i presidencës së radhës, asaj gjermane, e cila me anë të një mesazhi në Twitter të zëdhënësit të saj, e cilësoi dëshpëruese faktin që parlamenti europian humbu rastin për të çuar një hap para negociatat për buxhetin.
Përplasja është e hapur dhe pa një marrëveshje mes parlamentit dhe këshillit të Bashkimit Europian, i gjithë buxheti shumë vjecar dhe Fondi i Rikuperimit të hartuar në samitin e muajit korrik, nuk do të mund të aktivizohen dhe ratifikohen nga parlamentet kombëtare deri në fund të vitit 2020./