“Kaosi i krijuar nga emigrantët”, grekët e ishujve të Egjeut paralajmërojnë grevë

Grekët e ishujve të Egjeut protestojnë dhe deklarojnë hyrjen në grevë për shkak të situatës së krijuar nga mbipopullimi i ishujve të tyre nga emigrantët. Dhe pse nuk duan të dalin si ksenofobë ata kërkojnë transferimin e menjëhershëm të mijëra emigrantëve në pritje të procedurave të identifikimit.

Është hera e parë që qytetarët e zonave ku zbarkojnë shumë emigrantë, vendosin të bëjnë grevë dhe të manifestojnë. Ata janë të zemëruar me mbipopullimin e keqorganizuar të mijëra azilkërkuesve dhe të atyre që zbarkojnë në ishujt e tyre duke vënë në rrezik dhe turizmin.

Ajo që shqetëson banorët e ishullit janë sidomos qendrat e ngritura për identifikimin e emigrantëve dhe qendrat e pritjes të cilat menaxhohen keq. Ata shprehen se në këto kampe as kafshët nuk do të mund të jetonin në mënyrë dinjitoze. Të keqardhur ata shprehen se kjo nuk është përgjegjësi e tyre.

Kampi Moira është një shembull i qartë i situatës kritike.

Është e vështirë pasi banorët nuk duan të prezantohen si ksenofobë, ata protestojnë kundër braktisjes që iu është bërë ishujve dhe banorëve të tyre përballë zbarkimeve të vazhdueshme. Bashkimi Europian është inekzistent dhe zyrtarët europianë të Fronteks, të cilët duhet të kontrollojnë kufijtë nuk arrijnë të ndalojnë fluksin e emigrantëve.

Banorët në Kios shprehen se nuk kanë më besim tek askush, dhe se çdo gjë që është thënë deri tani ka rezultuar një mashtrim. Nuk është respektuar asnjë impenjim. Ndërsa në Lesbo manifestuesit kërkojnë sërish ishullin e tyre dhe jetën e mëparshme.

Guvernatori për Egjeun verior, Kostas Matsuris u shpreh se banorët janë kryesisht të zemëruar nga fakti se ishujt e tyre janë kthyer në qendra pritjeje për më shumë se 80 vende. Sipas tij 50 mijë emigrantë janë në pritje të procedurave të identifikimit. Kjo situatë, thekson ai është vetëm rezultati i një marrëveshjeje të heshtur mes vendeve të Bashkimit Europian.

Në Samos ku zyrtarisht ndodhen 7.519 emigrantë, banorët kërkojnë transferimin e tyre. Kryebashkiaku i Samos lindor, akuzon Fronteks, duke pohuar se Agjensia Europiane duhet të merret me ujërat kufitare me territorin detar turk.

SHKARKO APP