Katari i drejtohet gjykatave ndërkombëtare

Hapat e ndërmarra nga Katari për tu përballur me aktet e padrejta të vendeve të bllokadës ndaj tij pritet të hyjnë në një fazë të re, pasi ka një ndjesi të përgjithshme në Doha dhe jo vetëm, se zgjidhja politike për krizën aktuale të Gjirit nuk do të arrihet së afërmi as nga përpjekjet e ndërmjetësimit të Kuvajtit, dhe as nga pritshmëritë prej takimeve të planifikuara në Uashington mes zyrtarëve amerikanë dhe lidërve të rajonit. Kjo ndjesi konfirmohet edhe prej deklaratave të fundit përshkallëzuese të princit të kurorës së Arabisë Saudite Muhammed bin Selman gjatë takimeve që pati këtë javë në Uashington.
Bazuar në këto fakte, Doha synon të aktivizojë mundësinë e adresimit të kësaj çështjeje në gjykatat ndërkombëtare për ti vënë para përgjegjësisë vendet e blokadës për shkeljet e kryera, aq më tepër që kjo bllokadë dhe efektet e saj tashmë po hyjnë në muajin e dhjetë.
Sipas burimeve mediatike të Gjirit, “pritet që në javët e ardhshme të ngrihen më shumë padi kundër qeverive të shteteve të bllokadës dhe organeve të tyre, ku do ti kërkohet kompensim për mijëra shtetas dhe rezidentë të prekur nga masat e paligjshme të bllokadës ndaj Katarit”.
Katari i ka kërkuar zyrtarisht të dielën e kaluar autoriteteve mbikëqyrëse financiare në Shtetet e Bashkuara të kryejnë një hetim të gjerë mbi transaksionet e dyshimta nga dega më e madhe e “First Abu Dhabi Bank” në tregun bankar amerikan, të cilat kanë patur për qëllim dëmtimin e ekonomisë katariane dhe monedhën kombëtare (Qatari rial).
Kjo lëvizje vjen pas më shumë se tetë muaj nga krijimi i “Komitetit Qendror për Kompensim”, i kryesuar nga Prokurori i Përgjithshëm i Katarit Ali bin Fatis Al-Muri dhe që përfshin përfaqësues nga Ministritë e Drejtësisë dhe të Punëve të Jashtme. Është pikërisht ky komitet që pritet të padisë shtetet e bllokadës pranë gjykatave ndërkombëtare.
“Numri i ankesave të paraqitura nga kompanitë katariane pranë Komisionit të Kompensimit ka shkuar më shumë se 6,300”
Numri i ankesave “investitore dhe ekonomike” të paraqitura nga kompanitë e prekura katariane në “Komisionin e Kompensimit” i kanë kaluar tanimë 6300 dosje. Këto dosje janë vetëm nga kompanitë e dëmtuara nga praktikat e vendeve të bllokadës përmes përvetësimit dhe bllokimit të investimeve të tyre në këto vende, por ka edhe disa qindra ankesa të tjera prej qytetarëve dhe rezidentëve të prekur nga bllokada, të cilëve iu janë mohuar të drejtat më themelore të njeriut, përfshirë udhëtimin dhe bashkimin familjar me të afërmit e tyre.
Nisma e Dohas për të ndjekur penalisht vendet e bllokadës nuk është një surprizë, pasi në Korrikun e kaluar Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes së Katarit Khaled bin Mohammed Al Attiyah njoftoi se vendi i tij mund të padisë shtetet e bllokadës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Po ashtu, Ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë Ahmed bin Jassim bin Mohammed Al Thani, deklaroi në të njëjtin muaj nga Gjeneva (Zvicër), vendosmërinë e vendit të tij për të ndjekur penalisht shtetet bllokadës para gjykatave ndërkombëtare dhe ti kërkojë kompensim për humbjet e shkaktuara nga aktet e tyre të padrejta e të paligjshme.

Katari i bën thirrje Këshillit të të Drejtave të Njeriut të veprojë në lidhje me shkeljet e vendeve të bllokadës
Theksohet se në mesin e këtij muaji (Mars), Katari i bëri thirrje Këshillit të të Drejtave të Njeriut të marrë masa efektive dhe të shpejta në lidhje me shkeljet e rënda të shkaktuara nga vendet e bllokadës ndaj shtetit dhe popullit katarian, shkelje këto të provuara dhe nga konkluzionet e raportit teknik të misionit të Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut.
Doha shprehu habinë e saj me mosreagimin e Raportuesit Special rreth çështjes së impaktit negativ të masave të njëanshme e shtrënguese kundër të drejtave të njeriut të cilat i faktoi raporti i tij, ku më e pakta ishte të kërkonte ndalimin e këtyre shkeljeve.
Deklarata e lëshuar nga Katari në këtë drejtim, tha se është kompetenca e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të adresojë të gjitha shkeljet e hasura dhe të punojë në mënyrë aktive për ti ndaluar ato, duke theksuar se Këshilli duhet ti përmbushë detyra bazuar në parimet universale të paanshmërisë, objektivitetit dhe jo-selektivitetit.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?