Katër zgjedhjet më të egra në historinë e Amerikës

Agjencia e lajmeve Reuters rikujton se në historinë e Shteteve të Bashkuara, ka pasur katër palë zgjedhje presidenciale veçanërisht të kontestuara.

Në vitin 1800, zgjedhjet e katërta për president përfunduan në barazim me Thomas Jefferson dhe Aaron Burr që morën 73 vota zgjedhore. Në këtë rast, kushtetuta e Shteteve të Bashkuara ia ngarkon kongresit të zgjedhin presidentin. Delegacioni i secilit prej shteteve merr një votë të vetme në të ashtuquajturar “zgjedhje rezervë”.

Por kur ligjvënësit filluan të votojnë në shkurt 1801, as Jefferson dhe as Burr nuk ishte në gjendje të fitonte mbështetjen e më shumë se 8 nga 16 shtetet anëtare të SHBA-së të asaj kohe. Kongresi votoi 35 herë përgjatë një jave dhe në secilin rast Jefferson mori tetë vota, pa arritur një shumicë të thjeshtë. Në votimin e 36, Jefferson fitoi 10 shtete dhe kongresi i dha atij presidencën. Në bazë të rregullave të kohës, Burr u bë zëvendëspresident.

1824: Zgjedhjet rezervë

Andreë Jackson fitoi edhe votën popullore edhe numrin më të madh të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor mes katër kandidatëve për president, por ai nuk arriti të fitonte 131 votat zgjedhore që nevojiteshin për fitore të plotë. Rezultati solli votim në Dhomën e Përfaqësuesve, ku president u zgjodh John Quincy Adams.

1876: Zgjedhësit në duel

Zgjedhja më e gjatë dhe kontroverse për president në historinë e Shteteve të Bashkuara argumentohet se është ajo e vitit 1876. Republikani Rutherford B. Hayes konkurroi me Demokratin Samuel J. Tilden.

Në shtetet e jugut, votimi u shoqërua me kërcënime për dhunë nga demokratët që synonin të mbanin zezakët larg ushtrimit të së drejtës për të votuar. Demokratët krijuan kuti votimi që mbanin foto të të famshmit Abraham Lincoln, një republikan, në përpjekje për të mashtruar votuesit analfabetë që të votonin Tilden.

Në fund të fushatës së trazuar, kampet politike në tre shtete dërguan dy palë zgjedhësish, një palë për Tilden dhe një tjetër për Hayes.

Zgjedhësit konkurrues nga Florida, Luiziana dhe Karolina e Veriut mbërritën në Uashington DC me nivele të ndryshme autoriteti. Delegatët republikanë nga Luiziana që mbështesnin Hayes u dërguan nga guvernatori i shtetit ndërsa delegatët demokratë që mbështesnin Tilden u dërguan nga kandidati i partisë për guvernator.

Zgjedhjet mbetën pezull në shtetet e debatuara. Nëse numëroheshin votat elektorale të republikanëve, Hayes bëhej president. Nëse numëroheshin ato demokrate, zgjidhej Tilden.

Për shkak se Kongresi nuk kishte procedura për të zgjidhur një mosmarrëveshje të tillë, ai krijoi një komision me 15 anëtarë për ta pleqëruar çështjen. Kongresi, Senati dhe Gjykata e Lartë furnizuan nga pesë anëtarë te komisioni. Komisioni votoi në fund 8 me 7 sipas përkatësisë partiake për të përzgjedhur në secilin rast të debatur delegatët mbështetës të Hayes dhe rrjedhimisht duke i dhënë atij presidencën.

Demokratët e pranuan rezultatin vetëm pasi republikanët ranë dakord të tërhiqnin ushtrinë amerikane që kishte mbetur në shtetet e jugut që nga koha e Luftës Civile Amerikane. Kompromisi ndihmoi demokratët e jugut të nisnin epokën e njohur si “Jim Croë” në të cilën, demokratët imponuan segregim dhe diskriminim racor kundër zezakëve që vijoi për më shumë se një shekull.

Një dekadë pas kësaj, Kongresi miratoi Ligjin për Llogaritjen e Zgjedhjeve që caktoi rregullat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të kësaj natyre në të ardhmen. Studiuesit thonë se nuk është e qartë se si mund të funksionojë ky ligj sot për shkak të ambiguiteteve gjuhësore që ky ligj mbart. Ligji në fjalë nuk është testuar kurrë deri më sot.

2000: rinumërimi në Florida

Zgjedhjet më të fundit të kontestuara ishin në vitin 2000 në garën mes republikanit George Ë. Bush dhe Al Gore, në atë kohë zëvendëspresident demokrat. Në fund të ditës së zgjedhjeve, u bë e qartë se fituesi do të caktohej nga 25 votat elektorale në Floridës.

Ndërsa votimet u mbyllën në Florida, rrjetet televizive deklaruan Gore fitues. Por ndërsa votimi u zgjat gjatë natës, ata e përmbysën veten dhe shpallën Bushin fitues. Në mëngjes, rezultati sugjeronte se Bush kishte mposhtur Gore me një diferencë prej vetëm disa mijëra votash më shumë.

Gore kërkoi rinumërim të votave në katër konte të Floridës, duke nisur një proces që zgjati me javë dhe që solli analizimin e çdo vote një më një. Tri javë më vonë, Florida shpalli Bush fitues me 537 vota diferencë.

Gore e kundërshtoi rezultatin në gjyq dhe gjykata më e lartë e shtetit urdhëroi rinumërimin e mijëra votave që ishin refuzuar nga makineritë numëruese për shkak se nuk ishin shënjuar siç duhet.

Gjykata e Lartë ndërpreu numërimin më 12 dhjetor, gjashtë ditë para se Kolegji Zgjedhor të mblidhej për të caktuar presidentin. Gjykata shpalli se kushtetuta ishte shkelur duke përdorur standarde të ndryshme në vota të ndryshme.

Ligjvënësit republikanë në Florida u bënë gati të zgjidhnin delegatë sfidues për të mbështetur Bush kur Gjykata e Lartë ndaloi rinumërimin. Vendimi i gjykatës detyroi Gore të pranojë humbjen e zgjedhjeve.

SHKARKO APP