“Kemi rënë dakord të mos bëjmë kompromis…”, Presidentja e KE-së për vaksinën: Duam të dimë çfarë prodhohet dhe ku eksportohen!

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi sot se strategjia evropiane e vaksinimit, e cila është kritikuar për vonesa, ishte e saktë. Kjo ishte një përgjigje indirekte ndaj Mbretërisë së Bashkuar, e cila vendosi të fillojë vaksinimin e qytetarëve më herët.

“Disa vende filluan të vaksinojnë pak para Evropës, kjo është e vërtetë. Por ata iu drejtuan procedurave urgjente të aprovimit brenda 24 orësh. Komisioni dhe vendet anëtare (BE) kanë rënë dakord të mos bëjnë kompromis mbi kërkesat e sigurisë dhe efikasitetit të shoqëruara me miratimin e një vaksine”, tha von der Leyen në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde”.

“Evropa filloi më vonë, por ai ishte vendimi i duhur,” shtoi ajo.

Të hënën, nënsekretari francez i Shtetit për Punët e Jashtme Clement Boone ndoqi shembullin e Presidentes së KE-së, duke thënë se britanikët ndërmorën një rrezik me strategjinë e tyre të vaksinimit.

“Unë nuk mendoj se bashkëqytetarët tanë do ta pranonin këtë rrezik, në kundërshtim me mendimin e shkencëtarëve tanë, në lidhje me këtë fushatë vaksinimi”, i tha ai radios France Inter.

Ndërsa një zëdhënës i Kryeministrit Britanik, Boris Johnson, më herët kishte thënë se Londra nuk kishte ndërmarrë asnjë rrezik të vaksinave, duke siguruar qytetarët për sigurinë dhe efektivitetin e tyre.

Duke iu referuar vaksinave AstraZeneca, von der Leyen theksoi se Evropa “i dëshiron ato”. Sidoqoftë, ajo shpjegoi se në të njëjtën kohë kërkohet transparencë, pasi kjo është më e mirë se thashethemet. Kjo deklaratë e saj erdhi pasi kompania farmaceutike informoi për vonesë në dorëzimin e dozave të parashikuara të vaksinës, në minutën e fundit dhe pa dhënë arsye bindëse.

“Ne duam të dimë se çfarë prodhohet në fabrikat evropiane, çfarë eksportohet, ku eksportohet dhe çfarë ruhet. Transparenca është më e mirë se thashethemet”, përfundoi Von Der Layen.

SHKARKO APP