Kërcënimi i pakontrolluar nga Rusia
Debatet kakofonike dhe shpesh konfuze mbi hetimet e Rusisë nga hetuesi i posaçëm Robert S. Mueller III dhe disa komitete të Kongresit, kanë si pasojë errësimin e disa të vërtetave të mëdha dhe virtualisht të pakontestueshme: që regjimi i Vladimir Putinit ndërhyri në zgjedhjet e 2016 me qëllim dëmtimin e demokracisë në SHBA-të; që pothuajse me siguri do të kërkojë ta bëjë këtë përsëri; dhe që nuk ka pasur përpjekje të bashkërenduara për të mbrojtur vendin nga ky kërcënim i sigurisë kombëtare.
Ne themi “virtualisht të pakontestueshëm”, sepse disidenti kryesor nga ky konsensus, i cili bashkon agjencitë e inteligjencës amerikane dhe një shumicë të madhe bipartizane në Kongres, është Presidenti Trump – i cili vazhdon të refuzojë provat përfundimtare për veprimet e Rusisë, të hartuara nga profesionistët e inteligjencës amerikane dhe duke penguar përpjekjet e Kabinetit dhe stafit të tij për t’iu përgjigjur atyre.
Një raport gjithëpërfshirës i gazetarëve Greg Miller, Greg Jaffe dhe Philip Rucker të The Post përmban dëshmi të tmerrshme mbi mosfunksionimin. Zoti Trump nuk ka mbajtur asnjëherë një takim të nivelit të kabinetit mbi ndërhyrjen ruse apo se si të parandalojë përsëritjen e saj.
Në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, kuptohet që të sjellësh në vëmendje kërcënimin rus është me rrezik për të inatosur presidentin.
E njëjta gjë vlen edhe për zyrtarët e CIA-s që kryejnë informimin e përditshëm të z. Trump; ata nganjëherë lënë materialin mbi Rusinë jashtë sesionit gojor, në mënyrë që të mos e çojnë bisedën “jashtë binarëve”, sipas fjalëve të një ish-zyrtari të lartë.
Arsyet për mohimin e zotit Trump, si ato për trajtimin e tij të çuditshëm publik ndaj Putinit, janë shqetësuese. Ndihmësit e tij e parashtrojnë atë si një çështje egoizmi, një refuzim për të pranuar se triumfi i tij elektoral ishte produkt i ndonjë gjë tjetër përveç talenteve të tij.
Mueller dhe komisionet e kongresit po hetojnë nëse presidenti apo fushata e tij në mënyrë aktive ka bashkëpunuar me Moskën ose nëse presidenti ka lidhje të tjera komprometuese me rusët. Deri më tani, nuk kanë dalë prova përfundimtare për lidhje të tilla.
Ajo që është e qartë është se, pavarësisht nga korruptimi apo kotësia, zoti Trump nuk po mbron vendin kundër një kërcënimi serioz. Sigurimi se zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë të komprometuara kërkon veprime gjithëpërfshirëse në të gjithë qeverinë; ish drejtori i CIA-s Michael V. Hayden, i cili shërbeu nën Presidentin Xhorxh W. Bush, e krahasoi atë me përgjigjen e kërkuar nga sulmet e 11 shtatorit 2001.
Sistemet shtetërore të zgjedhjeve, shumë prej të cilave u sprovuan nga sulmuesit kibernetikë rusë, duhet të ngurtësohen; platformat e mediave sociale duhet të shtyhen për të ngritur mbrojtje kundër propagandës së hedhur nga ushtritë parazituese. Më e rëndësishmja, regjimi i zotit Putin duhet të pengohet në mënyrë efektive, gjë që do të ndodhë vetëm nëse ai arrin në përfundimin se kostot potenciale të ndërhyrjes janë më të mëdha se fitimet.
Tani për tani, e kundërta është e vërtetë, sipas raportimit të The Post. Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions dëshmoi në tetor se jo vetëm administrata nuk bën mjaft për të ndaluar ndërhyrjen ruse, por “ne nuk jemi në gjendje të kuptojmë plotësisht rreziqet teknike që ekzistojnë”.
Ndërkohë, inteligjenca nga brenda Kremlinit tregon se z. Putin beson se ai ka arritur një nga operacionet më të mëdha të fshehta në histori, një që ishte “më shumë e vlefshme se sa përpjekja”, siç tha një zyrtar amerikan.
Trump ende synon të rivendosë marrëdhënie të mira me z. Putin dhe jo të luftojë një kërcënim që ai refuzon të besojë. Për të mbuluar veprimet e tij të kaluara ose për të kënaqur egon e tij, ai po e ekspozon sistemin politik amerikan në një rrezik të papranueshëm. /The Washington Post – Lexo.al/
KOHA JONË SONDAZH

