Kerkesa e Bankes Kineze – Jo më biznes me Penianin
Banka Qendrore e Kinës i ka kërkuar bankave të tjera në vend të implementojnë sanksionet strikte të Kombeve të Bashkuara ndaj Koresë së Veriut.
Kështu ka raportuar agjensia e lajmeve Reuters në bazë të informacioneve të marra nga 4 burime.
Kjo lëvizje vjen teksa Shtetet e Bashkuara vijojnë të mbeten të shqetësuara se Pekini zyrtar nuk ka reaguar mjaftueshëm ashpër ndaj testeve të përsëritura nukleare të Penianit. Bankat kineze janë tashmë nën vëzhgim për rolin e tyre si kanale për fondet që shkojnë dhe vijnë nga fqinji gjithnjë e më i izoluar i Kinës.
Sipas burimeve të Reuters, bankave i është kërkuar të mos sigurojnë më shërbime financiare për klientë të rinj koreano-veriorë dhe të shlyejnë kreditë me klientët ekzistues. Burimet gjithashtu bëjnë me dije se edhe huadhënësve u është kërkuar të zbatojnë plotësisht sanksionet e OKB-së ndaj Koresë së Veriut, ndërkohë që ata janë paralajmëruar për humbjet ekonomike dhe rreziqet reputacionale nëse nuk zbatohen masat.
Një javë më parë, Reuters raportoi se 4 bankat shtetërore më të mëdha të Kinës kishin ndaluar ofrimin e shërbimeve financiare për klientët e rinj koreano-veriorë, ndërkohë që disa masa janë vendosur që në fund të vitit të kaluar.
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara votoi unanimisht vendosjen e një pakete të re sanksionesh ekonomike javën e kaluar, në përgjigje të provokimeve më të fundit nukleare të Koresë së Veriut.
Prej muajsh, vëmendja është përqëndruar në lidhjet tregtare dhe financiare mes Pekinit dhe Penianit.
Është spekuluar se kriza koreano-veriore mund të zgjidhet nëse Kina ushtron presion ekonomik në qeverinë e izoluar. Sidoqoftë ekzistojnë ende dyshime nëse një ndërhyrje e ashpër e Kinës mund të çojë në konkluzionin e dëshiruar nga Shtetet e Bashkuara dhe OKB: denuklearizimi i Koresë së Veriut.
KOHA JONË SONDAZH

