Kërkohet zbarkimi i 363 emigrantëve
363 emigrantë të mbetur në ujërat e Mesdheut prej ditësh nuk po arrijnë të zbarkojnë në portet e afërta, në Maltë apo Itali. Misionet humanitare thonë se gjendja e tyre është rënduar dhe bëjnë apel për ndërhyrje urgjente.
Organizata humanitare spanjolle “Open Arms” i ka bërë apel Italisë për zbarkimin e 363 emigrantëve të shpëtuar në Mesdheun Qendror.
Shumë prej personave ishin nisur ditët e fundit me barka gome dhe mjete të tjera druri klandestine nga Libia duke pasur për destinacion Europën.
Organizata njoftoi se më shumë se gjysmën e personave i priste vdekja e sigurt për shkak të mjete të pasigurta, ndërsa gjendja fizike e njerëzve në bordin e tyre po ashtu ishte tepër e rënduar.
Në njoftimin në rrjetet sociale, organizata postoi edhe torturat që ishte dashur të duronte një 17-vjeçar somalez, prindërit e të cilit ishin ekzekutuar nga grupet terroriste ndërsa ai vetë kishte zgjedhur arratisjen nga vendi për t’i shpëtuar dhunës.
Në orët e fundit u refuzuan tentativat e anijes humanitare për të zbarkuar në portet malteze.
“Open Arms” aktualisht është i vetmi organizëm humanitar që vijon operacionet me anije për shpëtimin e emigrantëve në Detin Mesdhe, pasi dy anije të tjera janë ankoruar në portet italiane dhe malteze vetëm pak ditë më parë.
Emigrantët nga shteti afrikanoverior i Libisë kanë rritur frekuencën e lundrimeve këtë fillimvit për shkak të situatës së paqëndrueshme politike dhe të luftës civile që nuk ka të ndalur.
Sipas Komisariatit të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, mbi 125 mijë prej tyre mbërritën në Europë vetëm vitin e kaluar në muajt janar-nëntor.