Kim Jong Un për vitin e ri: Në tryezën time ndodhet butoni që mund të shkatërrojë Amerikën
Lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un, ka thënë se shteti i tij ka rritur kapacitetin për të goditur tokën amerikane me armë nukleare dhe se butoni bërthamor është “në tavolinën time”.
“I gjithë territori i Shteteve të Bashkuara është brenda rrezes së armëve tona bërthamore dhe butoni bërthamor është gjithmonë në tavolinën time. Ky është realiteti, nuk është kërcënim”, ka thënë Kim gjatë një fjalimi televiziv për Vitin e Ri.
Ai ka thënë se vendi i tij ka “kompletuar” procesin e të bërit fuqi bërthamore dhe “duhet patjetër të rrisin prodhimin e kokave bërthamore dhe raketave balistike”.
Ai po ashtu ka shtuar se do t’i përdorte këto armë vetëm në rast se rrezikohet siguria e vendit.
Lideri koreano-verior ka përdorur fjalor tjetër ndaj Koresë Jugore, duke thënë se “rruga është e hapur” për dialog me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve në mes të Phenianit dhe Seulit.
“Kur flasim për marrëdhëniet Veri-Jug, ne duhet të ulim tensionet ushtarake në Gadishullin Korean për të krijuar një ambient paqësor”, ka thënë Kim.
“Mirëpo Veriu dhe Jugu duhet të bëjnë përpjekje”, ka shtuar ai.
Ndër të tjera ai ka përmendur se mund të realizohet një takim eventual në mes të dy shteteve për të diskutuar pjesëmarrjen e Koresë Veriore në Lojërat Olimpike Dimërore.
Koreja Jugore është aleate e Shteteve të Bashkura, ndërsa këto të fundit kanë mijëra trupa në Korenë Jugore.
Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Veriore janë përballur me luftë fjalësh e cila është rritur secilën herë që Pheniani ka testuar raketa balisitike dhe amë bërthamore, duke shkelur rezolutën e Kombeve të Bashkuara.(TemA)
KOHA JONË SONDAZH

