Kina blen vaksina nga BioNTech – Kompania Fosun Pharma siguron 100 milionë doza ndaj Covid-19
Kompania kineze, Fosun Pharmaceutical Group Co Ltd do të blejë të paktën 100 milionë doza të vaksinës kundër Covid-19 nga kompania gjermane, BioNTech, për ti përdorur në Kinë, gjatë vitit të ardhshëm, gjithmonë nëse vaksina do të marrë aprovimin edhe në këtë vend. Deri më tani, qeveria kineze nuk ka njoftuar marrëveshje furnizimi me kompanitë perëndimore dhe është mbështetur te firmat vendase që po zhvillojnë vaksinat.
Për furnizimin e parë prej 50 milionë doza, kompania Fosun do të bëjë një parapagesë prej 250 milionë euro deri më 30 dhjetor dhe pjesa e mbetur do të paguhet pasi vaksina të marrë miratimin për përdorim në Kinë. Vaksina e zhvilluar nga BioNTech dhe nga partneri amerikan Pfizer po administrohet për vaksinim emergjent në Britani, SHBA dhe Kanada dhe ka marrë miratimin edhe në disa vende të tjera.
Kina, ndërkohë, i ka dhënë statusin për përdorim emergjent dy vaksinave të zhvilluara nga kompanitë vendase, Sinopharm dhe Sinovac, ndërsa vaksina e CanSino është miratuar për përdorim ushtarak. Kompania Fosun Pharma ka sjellë dy vaksina kandidate të zhvilluara nga BioNTech për prova klinike në Kinë, por asnjëra nuk ka marrë ende miratimin nga rregullatorët. /SCAN