Kina përgatitet të reagojë në rast sulmi bërthamor në tokën e saj !

Republika Popullore ka ndërtuar një rrjet të gjerë tunelesh nëntokësore për të transportuar dhe fshehur bombat e saj atomike.
Vendi po modernizon dhe rrit aftësitë e tij bërthamore, gjë e cila e shqetëson Uashingtonin.
Një mur i madh nëntokësor i Kinës.
Kështu e përshkruan Wang Xiangsui, një ish-kolonel i ushtrisë kineze i kthyer në profesor universiteti në Pekin, sistemin titanik të tuneleve që shtrihen nën territorin kinez.
Ato përdoren për të transportuar armë bërthamore në pika të ndryshme strategjike të vendit dhe të mbrojtura mirë nga mbikëqyrja e satelitëve spiunë të SHBA.
Wang Xiangsui beson se me këtë strukturë të re logjistike, Kina mund t’i përgjigjet një sulmi bërthamor në tokën e saj edhe nëse qendrat e saj më të larta të komandës zhduken.
Në një transkript gjatë një konference që u mbajt tetorin e kaluar, Wang Xiangsui shpjegon se Partia Komuniste e vendosi këtë sistem nga frika se mos nuk do të ishte në gjendje të kundërsulmonte në rast të një sulmi bërthamor prej SHBA.
Në të vërtetë, Shtetet e Bashkuara kanë raketa bërthamore të mjaftueshme (rreth 5,000) për të shkatërruar së pari të gjitha kapanonet si edhe qendrat komanduese kineze, apo edhe për të shmangur çdo përgjigje atomike në tokën amerikane.
Kina, me këtë sistem të tuneleve nëntokësore e bën vendndodhjen e armëve bërthamore kineze shumë më të vështirë per tu gjetur, në mos të pamundur.
Për disa dekada, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë zvogëluar gradualisht rezervat e tyre të armëve atomike.
Por, nga ana e saj, Kina ka modernizuar dhe rritur vazhdimisht aftësitë e saj bërthamore.
Pentagoni vlerëson se, Republika Popullore ka rreth 200 deri 300 bomba atomike.
Një numër që mund të dyfishohet deri në vitin 2030.
Ushtria kineze po zhvillon gjithashtu pajisje të reja.
Në veçanti JL-3, një raketë bërthamore e lëshuar nga nëndetësja me një distancë prej 12,000 kilometrash, mjaftueshme kjo për të arritur lehtësisht territorin amerikan.
Nga ana e tij, Pentagoni e konsideron fuqinë e re bërthamore të Kinës shumë seriozisht.
Sidomos pasi ai e kupton që qeveria e Xi Jinping, po kërkon gjithashtu të modernizojë armët e saj balistike për t’i bërë ato më të shpejta dhe më pak të zbulueshme.
Siguria e Shteteve të Bashkuara do të kërcënohej vertetë seriozisht.
Përveç raketave të reja balistike, Kina po zhvillon aeroplanë luftarakë që mund të gjuajnë armë bërthamore nga ajri.
Ushtria e Republikës Popullore, gjithashtu mund të mbushë arsenalin e saj të kufizuar duke i vendosur në pjesë të ndryshme të botës për t’i bërë ato më të vështira për t’u shkatërruar.
Kështu, oficerët amerikanë mendojnë se Pekini mund të fshehë raketat e tij në Pakistan, Seychelles, Angola, Indonesia apo edhe Sri Lanka.

Përgatiti në shqip Hamza HATIKA

SHKARKO APP