Kina rihap restorantet dhe dyqanet, 70 mijë persona të shëruar nga 81 mijë të infektuar

Ndërsa Evropa dhe Shtetet e Bashkuara po izolojnë bizneset nga paniku i koronavirusit, në Kinë ulja e numrit të rasteve të reja me infeksionin vdekjeprurës ka rikthyer shpresat te konsumatorët vendës.

Ditën e mërkurë, qendrat tregtare dhe restorantet u lejuan t’u shërbejnë qytetarëve nëse përmbushin standardet strikte për mbrojtjen nga infeksionet.

Rigjallërimi i bizneseve shihet si thelbësor për ekonominë kineze, kur vetëm në dy muajt e parë të vitit mësohet se rreth 5 milionë banorë humbën vendin e punës për shkak të epidemisë.

“Disa dyqane, restorante dhe zona publike po hapen gradualisht. Punonjësit po kthehen në zyra dhe nuk punojnë më nga shtëpia. Besoj se në të ardhmen e afërt, njerëzit do të mund te ecin edhe pa maska,” tregon një 32-vjeçar, banor i Shangait.

“Sëmundja nga virusi është njëra anë, por mendoj se ajo që nuk duhet të ndodhë është të sëmurim zemrën, shpirtin ynë. Me dezinfektues, me masa mbrojtëse, jeta vazhdon,” shton një rezidente e Pekinit.

Epidemia e Covid-19-ës në Kinë që nga fundi i dhjetorit ka infektuar mbi 81 mijë persona në total, 70 mijë janë shëruar dhe 3,240 veta kanë humbur jetën.

Megjithatë, numri ditor i pacientëve të rinj që paraqiten me simptoma ka zbritur nën 20, thuajse të gjithë të prekurit tashmë të ardhur nga jashtë.

Përmirësimi radikal i situatës ka bërë që autoritetet të mendojnë tërheqjen e gati 42 mijë mjekëve dhe infermierëve të thirrur në detyrë në provincën e Hubeit në kulmin e epidemisë në janar dhe shkurt.

Ekipe të vogla të njohura me kushtet dërgohen të ndajnë përvojën me kolegët e tjerë nëpër botë që tani përballen me krizën.

Stafe mjekësore kanë zbritur këto ditë në Milano të Italisë, duke sjellë me vete disa tonë furnizime spitalore, respiratorë dhe maska fytyre.

“Sëmundja nuk njeh kufij. Derisa kemi një vizion të përbashkët, të gjithë duhet të luftojmë së bashku përballë kësaj pandemie globale, këtij armiku të përbashkët,” deklaron një zyrtar kinez.

Vendi gjithashtu mësohet se ka dhënë dritën jeshile për vaksinën kundër koronavirusit dhe ka hyrë në fazën e eksperimentimit me njerëzit nga 16 marsi.

SHKARKO APP