“Koha e llogarisë”: Erdogan kërcënon Armeninë pas luftës me Azerbajxhanin
Presidenti i Turqisë Rexhep Tayyib Erdogan ka hedhur akuza të forta ndaj Armenisë pas luftës që ka nisur me Azerbajxhanin.
Turqia mbështet këtë të fundit në konfliktin më të ri në Kaukaz duke kërcënuar madje Armeninë.
Në fjalën e tij të mbajtur në Stamboll tha se “ka ardhur koha e dhënies së llogarisë nga Armenia” duke theksuar se armënet duhet të tërhiqen nga zona e pushtuar e Nagorno Karabakh-ut, i cii është territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.
“Ka ardhur koha që Armenia të japë llogari. Armenët duhet të tërhiqen nga zonat që kanë pushtuar në Nagorno Karabakh, i cili është territor i Azerbajxhanit. Deri më tani, treshja e Minskut, konkretsht Rusia, Franca dhe SHBA-të nuk kanë zgjidhur asgjë këto 30 vite”, u shpreh Erdogan duke mbështetur veprimet e ushtrisë së Azerbajxhanit në Nagorno Karabakh.
Azerbajxhani dhe Armenia janë duke u përballur ushtarakisht në rajonin e Nagorno Karabakh-ut. Territori është i njohur si pjesë e Azerbajxhanit, por banohet nga armenë etnikë. Në fillim të viteve ’90, forcat separatiste lokale në bashkëpunim me ushtrinë e Armenisë morën kontrollin e zonës duke larguar prej aty ushtrinë azere. /abcnews.al