“Koha që trupat amerikane të kthehen në atdhe”/ Biden: Tërheqja e plotë nga Afganistani fillon më 1 maj

Joe Biden njoftoi zyrtarisht të mërkurën vendimin e tij për të tërhequr trupat amerikanë nga Afganistani para 11 shtatorit, 20 vjetorit të sulmeve terroriste në Qendrën Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit që çoi SHBA-të në luftën e saj më të gjatë.

“Është koha për t’i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës. Është koha që trupat amerikane të kthehen në atdhe. Jam presidenti i katërt amerikan që përgjigjem për praninë e trupave të SHBA në Afganistan. Dy republikanë. Dy demokratë. Nuk do t’ia kaloj këtë përgjegjësi një të pesti,” u shpreh Presidenti Biden.

Sipas CNN, Biden tha se përpjekjet diplomatike dhe humanitare amerikane do të vazhdojnë në Afganistan dhe do të mbështesin përpjekjet e paqes midis qeverisë Afgane dhe talibanëve.

Presidenti Biden njoftoi se të 2,500 trupat amerikane të mbetura në Afganistan do të fillojnë të tërhiqen duke filluar nga 1 maji dhe tërheqja do të përfundojë përpara 11 shtatorit

Ai tha se tërheqja amerikane “do të bëhet në mënyrë të sigurt dhe në bashkërendim të plotë me aleatët.”

Presidenti Biden tha se do të vazhdojë të punojë për të parandaluar rishfaqjen e terrorizmit .

Njëmbëdhjetë shtatori i këtij viti është një ditë mjaft simbolike, që përkon me 20 vjetorin e sulmeve të al Kaidës kundër Shteteve të Bashkuara. Ngjarja bëri që Presidenti i atëhershëm George W. Bush të niste konfliktin. Lufta u ka marrë jetën 2,400 ushtarakëve amerikanë dhe ka kushtuar rreth 2 trilionë dollarë. Prania amerikane në Afganistan arriti kulmin në vitin 2011 me më shumë se 100,000 trupa.

SHKARKO APP