Kokainë në kosheret e bletëve, goditet banda në Itali, 4 janë shqiptarë
Policia italiane ka goditur një bandë të trafikut të drogës, ku në pranga janë vënë 11 persona, 4 prej të cilëve janë shqiptarë.
Personat janë arrestuar gjatë muajve të kaluar, ndërsa dy të tjerë Konstant Racholli dhe Elvis Drunka janë vënë në pranga ditët e fundit. Emrat e personave te tjere te arrestuar nuk behen publike.
Operacioni është zhvilluar në La Spezia, ku banda kriminale përdorte bletarinë për të mbuluar aktivitetin kriminal të trafikut të kokainës, por edhe atë të prostitucionit. Në këtë mënyrë, policisë i është dashur të futet mes bletëve për të bërë sekuestrimin.
Në kuadër të operacionit “Mjalti i Bardhë”, policia italiane sekuestroi 1.5 kg heroinë dhe kokainë me cilësi të pastër. Lënda narkotike ishte e fshehur pranë koshereve të bletëve. Dy shqiptarë, pjesë të kësaj bandë janë arrestuar në verën e vitit që shkoi, teksa ishin duke transportuar një ngarkesë nga Belgjika në Itali.
Sipas mediave italiane, i lidhur ngushtë me veprimtarinë e trafikut të drogës ishte edhe prostitucionit, ku shfrytëzoheshin kryesisht vajza dhe gra nga vendet e Lindjes.
Grupit iu sekuestruan edhe 15 mijë euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i prostitucionit.