Kolumbi, kapet rreth 5 tonë kokainë me vlerë 265 mln dollarë brenda dy kontenierëve
Shtetet nëpër botë vazhdojnë prej ditësh të sekuestrojnë sasi të mëdha kokaine. Rreth 5 tonë e drogës së fortë është kapur në Kolumbi ndërsa po kaq janë zbuluar prej fundjavës edhe nga policia e Holandës dhe Polonisë.
Policia kolumbiane ka sekuestruar rreth 5 tonë kokainë në dy kontejnerë anijeje, sasi e cila do të arrinte vlerën deri 265 milionë dollarë nëse do shitej në treg.
Sasia rekord për vendin këtë vit u zbulua të martën në portin e Buenaventurës, një qytet në brigjet e Paqësorit.
Lënda narkotike me sasi ekzakte 4.928 kilogramë ishte ndarë në qindra paketime më të vogla.
Autoriteti i antidrogës në vend njoftoi se “sasia e konsiderueshme e hidroklor-kokainës ishte përzierë me pluhur gome dhe do transportohej në Turqi si pjesë e një dërgese prej 51,9 tonë. 1.733 paketa gome kishin për destinacion Europën.”
Operacioni i policisë kolumbiane nuk ka çuar në arrestime dhe as nuk është bërë i njohur identiteti i pronarit të kokainës.
Kolumbia është shteti që prodhon më shumë kokainë në botë me një bilanc vjetor rreth 951 tonë, apo gati 70 për qind të prodhimit global.
Sipas antidrogës amerikane, në territorin e vendit, rreth 200 mijë hektarë tokë mendohet se është e mbjellë me bimën tropikale të kokës, përbërës kryesor i drogës së fortë.
Kultivimi i tyre bëhet shpesh shkak për konflikte të armatosura mes karteleve dhe grupeve paramilitare që luftojnë me njëri-tjetrin edhe për të kontrolluar tregun e drogave.
Gjatë ditëve të fundit, edhe në Europë janë kryer sekuestrime në sasi të mëdha të kokainës.
Pas 2 tonëve të gjetur në një kontejner me banane nga autoritetet holandeze në fundjavë, të martën policia polake njoftoi zbulimin e mbi 3 tonëve kokainë të fshehur në fuçi të mbushura me pjesën e butë të frutës së ananasit.
Të paktën tre persona përfunduan në pranga ndërsa sasia e lëndës narkotike vlerësohet mbi 760 milionë dollarë.