Kompanitë BioNTech/Pfizer: Vaksina, 100% efektive te moshat 12-15 vjeç

Kompanitë BioNTech dhe Pfizer thanë të mërkurën se vaksina e tyre kundër koronavirusit është 100 për qind efektive tek moshat 12 deri në 15 vjeç. Provat e fazës 3 të kryera në 2,260 adoleshentë në Shtetet e Bashkuara “treguan 100 për qind efikasitet dhe përgjigje të fuqishme të antitrupave”, thanë kompanitë përmes një deklarate.

“Ne kemi në plan t’i paraqesim këto të dhëna tek rregullatorët, me shpresën për të filluar vaksinimin e kësaj grupmoshe para fillimit të vitit tjetër shkollor”, -tha shefi ekzekutiv i Pfizer, Albert Bourla.

Shefi ekzekutiv i ndërmarrjes gjermane BioNTech tha se rezultatet që tregojnë mbrojtje të lartë për adoleshentët ishin “shumë inkurajuese duke pasur parasysh tendencat që kemi parë javët e fundit në lidhje me përhapjen e variantit britanik të koronavirusit”.

Vaksina e BioNTech/Pfizer ishte e para që u miratua për përdorim në Perëndim. Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Bashkimi Evropian kanë miratuar përdorimin e saj për njerëzit e moshës 16 vjeç e lart.
Miliona persona janë imunizuar me këtë vaksinë në më shumë se 65 vende të botës. BioNTech tha të martën se po vazhdon me planet për të prodhuar këtë vit 2.5 miliardë doza të vaksinës.
BioNTech dhe Pfizer javën e kaluar filluan studimet për efikasitetin dhe sigurinë e vaksinës tek fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç. Javën e ardhshme do të fillojë testimet te fëmijët e moshës dy deri në pesë vjeç.

SHKARKO APP