Konfiskohet sasi rekord kokaine në Europë, vlen miliarda euro

Autoritetet e doganave në Gjermani dhe Belgjikë, kanë konfiskuar një rekord prej më shumë se 23 tonëve të kokainës, që ka pasur destinacion Holandën.

Zyrtarët gjermanë kanë zbuluar 16 tonë kokainë në pesë kontejnerë të transportit, të cilët kanë arritur në portin e Hamburgut nga Paraguaji më herët gjatë këtij muaji.

Policia në Holandë ka qenë e njoftuar edhe për 7.2 tonë shtesë të kokainës, që janë gjetur në portin belg të Antëerpit. Zyrtarët gjermanë kanë thënë se kokaina ka pasur çmim të tregut deri në miliarda euro, shkruan Rel.

Një 28-vjeçar, i dyshuar për përfshirje në trafikim të drogës, është arrestuar në Holandë, ka thënë policia holandeze të mërkurën.

Dy bastisjet, që kanë ndodhur më herët gjatë këtij muaji, kanë rezultuar me konfiskim të një sasie jashtëzakonisht të madhe të kokainës, kanë thënë zyrtarë të doganave. Në Hamburg gjendet porti më i madh në Gjermani, dhe i treti për nga madhësia në Evropë.

Paraguaj, në anën tjetër, ka qenë për vite shtet transit kyç për drogë.

Kokaina e pastër mund të ndahet dhe të përzihet me substanca tjera për të rritur përfitimet kur të shitet në rrugë.

SHKARKO APP